Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është pritur sot nga kryetari i ri të komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Pas takimit, Sveçla është shprehur se Hetemit i ka ofruar mbështetjen për ushtrimin e funksionit të kryetarit.
“Sot pata nderin të pritem në zyren e tij nga Lulzim Hetemi, Kryetari Komunës së Leposaviqit. I urova punë të mbarë dhe i ofrova gjithë mbështetjen time në ushtrimin e funksionit të tij, sipas mandatit të përcaktuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. Bashkë do t’i kalojmë të gjitha sfidat e do të vazhdojmë angazhimin për të mirën e gjithë qytetarëve tanë.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ndryshe, në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok kanë hyrë në objektet komunale të premten (26 maj), një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Pesë policë janë lënduar dhe katër automjete janë dëmtuar dje nga incidentet në veri të Kosovës.
Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë dënuar veprimet e Qeverisë Kosovës, duke kërkuar që të ulen tensionet.