Bizneset në Kosovë po detyrohen të angazhojnë punëtorë të huaj

Ikja e të rinjve kosovarë nga vendi paraqet një situatë alarmante. Për këtë arsye duhet të krijohen kushte më të mira për të jetuar në Kosovë. Kështu thonë ekspertë të ekonomisë. Ndërkohë që bizneset po detyrohen të punësojnë punëtorë të huaj, për të plotësuar nevojat e tregut.

Me ikjen e fuqisë punëtore nga vendi, Kosova është bërë vend që po tërheq punëtorë të huaj. Firmat kosovare janë të detyruara të importojnë fuqi punëtore nga jashtë.

Një ndër këto firma është edhe një kompani private nga Mitrovica.

Blerta Abrashi, menaxhere, thotë se kjo kompani ka marrë 2 punëtorë të huaj nga Turqia dhe India.

“Ata këtu i kanë kushtet e mira si me pagë si me kushte jetësore një ambient të ngrohtë pune. Nuk kemi bërë dallime që njeri është nga Turqia e tjetri nga India. Kemi një të përbashkët, punën”, tha ajo.

Mehmet Tyre, i punësuar në këtë firmë, thotë se i pëlqen Kosova dhe se ai është i kënaqur me punën që bënë.

Ai thotë se do të vazhdojë të jetojë dhe të punojë në Kosovë.

“Ballkani ka një vend të veçantë për ne. Ne nuk i veçojmë, i shohim si vëllezër. Në fillim isha kureshtar e pastaj duke qëndruar këtu filloj të më pëlqej më shumë. Në rrugë jam i qetë, shëtis i qetë ,nuk është ajo tollovia e Turqisë. E dua Kosovën dhe kam filluar ta dua më shumë”, tha ai.

Ndërkaq Vivek Kumar, nga India, thotë se në Kosovë jeton që 4 vjet dhe së i pëlqen qetësia dhe ambienti i të jetuarit dhe vepruarit në Kosovë.

“4 vitet e fundit jetoj në Kosovë. Ne Indi ka një popullatë të madhe e këtu është me qetë. Ambienti i punës dhe ai për jetë është më i mirë. Është një ambient i shëndetshëm”, tha ai.

Zeki Korkut, është shtetas i Turqisë që jeton e vepron në Kosovë qe 10 vite. Ai është i punësuar në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës.

“Më pëlqen të jetoj këtu edhe të punoj këtu. Jam më të vërtetë i kënaqur me kosovarët e ndërkohë edhe me jetën që bëjë këtu. Nuk shoh ndonjë ndryshim ndërmjet Kosovës dhe rajonit të Detit të Zi e për këtë arsye nuk ndihem i huaj këtu”, tha Korkut.

Por eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se punëtorët e huaj mund ta shohin Kosovën vetëm si vend tranzit për të shkuar drejt Bashkimit Evropian.

“Kam drojë që shumica prej tyre që ia mësyjnë Kosovës e përdorin si momentum për të ikur diku në Evropë. Besoj që bashkërisht të lobojmë dhe dialogojmë dhe të ngritim vetëdijen jo vetëm te të rinjtë por edhe bizneset e Kosovës, që të bëjnë më tepër për punëtorët dhe kushtet e tyre. Do të jetë shumë e vështirë të mendohet se të huajt do të kontribuojnë më shumë se vendorët”, tha ai.

Ligji për të huajt në Kosovë rregullon çështjet për dhënien e lejes së punës për të huajt, shkruan RTK.

Sipas këtij ligji, personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Kosovës duhet të pajisen me leje pune. Qeveria e Kosovës cakton çdo vit numrin e lejeve të punës për shtetas të huaj.