Vizita e dy senatorëve amerikanë në Prishtinë e solli paralajmërimin se kryeministri Albin Kurti tani duhet të ndërmarrë “hapa të vështirë” në dialogun me Serbinë. Ata kanë treguar se u kanë bërë presion krerëve të shtetit të Kosovës që të lëvizin “me shpejtësi” drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke treguar “një nivel të ri serioziteti” në këtë çështje. Paraprakisht, emisari special i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar tha se duan që puna e zbatimit të marrëveshjes së fundit të kryhet deri në fund të verës. Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar rrezik nëse ndërmjetësit do të kërkojnë diçka mes propozimit të Kosovës dhe atij të Serbisë për Asociacionin.
Dy senatorë amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters erdhën të hënën në Prishtinë ku patën takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca, pas së cilave u paralajmërua se Kosova dhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira dhe se duhen ndërmarrë “hapa të vështirë”.
“Serbia duhet të ndalojë që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, dhe mendoj se është e kuptueshme që komunat me shumicë serbe të kenë njëfarë mundësie për të bashkërenditur shërbimet që i ofrojnë”, tha senatori Murphy në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, duke iu referuar themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Duke theksuar se “koha ka shumë rëndësi”, Murphy tha se ky “është viti kur duhet të kryhet kjo çështje dhe të mundësohet lëvizja drejt normalizimit”, gjë që sipas tij, “do të çojë deri te njohja e ndërsjellë”.
Ai tha se në takim kanë dëgjuar se kryeministri Kurti ka plane për zbatimin e marrëveshjes së fundit.
“I kam bërë presion miqve të mi të mirë, kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani që të ecin përpara me shpejtësi në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, element kyç i normalizimit me Serbinë”, shkroi Murphy dje pasdite në Tëitter.
Në fund të ditës, senatori Murphy tha se është koha që Qeveria Kurti të tregojë “një nivel të ri serioziteti” për Asociacionin.
“Në Kosovë sot kam ripërsëritur besimin tim se Kosova duhet të ecë para me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Edhe Serbia duhet ta përmbushë pjesën e saj të pazarit, por është koha për qeverinë Kurti të tregojë një nivel të ri të seriozitetit sa i përket AKS-së”, shkroi Murphy mbrëmë vonë.
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të dielën se s’bëhet fjalë për pritje kur është fjala për themelimin e Asociacionit, pasi ka shtuar se kjo “është obligim”.
“Edhe nga Kosova pritet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, ka thënë Escobar për agjencinë malazeze të lajmeve, Mina.
Ai tha se SHBA do që zbatimi i elementeve të marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos mund të përfundojë deri në fund të verës”, ka thënë diplomati amerikan.
Presionit amerikan dhe vënies së afateve po iu kundërvihet deklarativisht kryeparlamentari Konjufca. Të martën, ai pati pyetje për diplomatët e pesëshes të njohur si QUINT.
“Unë i kam dëgjuar vendet e QUINT-it që kanë thënë se nuk ka Asociacionin pa u kthyer serbët në institucione. Le të na tregojnë a e kanë ndryshuar këtë qëndrim a jo. Pyesni edhe ato. Unë e kam dëgjuar, mund t’ju pajis edhe me këtë deklaratë. Nuk mund ta kushtëzoni Asociacionin duke e shantazhuar Kosovën”.
Osmani: Rrezik nëse kërkohet diçka në mes
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë të shtunën se Kosova nuk iu ikë obligimeve, duke përsëritur se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe që “në asnjë moment të mos ketë ndonjë element që mund ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional”.
Ndërkombëtarët e cilësojnë “pikënisje të rëndësishme” një draft të statutit të Asociacionit, të cilin ekipi menaxhues e prezantoi në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel, e për të cilin shefi i qeverisë kosovare tha më pas se “është rezultat i dëshirës për Republika Srpska në Kosovë”.
Osmani ka thënë se është problematike nëse BE-ja do të kërkojë diçka ndërmjet asaj që propozon Serbia dhe asaj që propozon Kosova, sa i përket Asociacionit.
“Problemi është që nëse zyrtarët e BE-së kërkojnë që edhe vetë statuti të jetë një mes në mes të asaj çfarë kërkon Serbia dhe çka propozon Kosova, aty gjithmonë ka rrezik – në qoftë se merren elemente të propozimit të Serbisë, gjithmonë ka rrezik – që të shkohet drejt destabilizimit”, ka thënë shefja e shtetit.
Meqenëse detyrimin për ta krijuar njëfarë Asociacioni, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar në marrëveshjen e fundit të arritur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ai e ka një ide, inspiruar në modelin kroat.
Në takimin e fundit me Vuçiqin në Bruksel, Kurti e ka propozuar një “draft-vizion” për punën e rregullimit të komunitetit serb në Kosovë.
Gjermania dhe tash Mbretëria e Bashkuar, i kanë kërkuar atij që të bëhet më konkret dhe ta hartojë një draft-statut për Asociacionin.
Dje, pas takimit me senatorët amerikanë, presidentja Osmani tha se u ka treguar atyre shkeljet që Serbia po ia bën marrëveshjes, ndërsa kryeministri Kurti ka kërkuar që ajo të zbatohet tërësisht.