Në ekonomitë e vendeve, transporti efiçient i qytetarëve dhe mallrave siguron qasje në vende pune dhe shërbime, si dhe mundëson rritjen e tregtisë dhe rritjen ekonomike.
Ky ishte një mesazh kyç në Samitin për Lidhshmërinë të organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit dhe Sekretariati i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), nën kujdesin e Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi. Samiti, i hapur nga Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert-Jan Koopman, bashkoi Ministrat e Transportit, Drejtorët e Doganave, Institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë, ekspertë dhe palë të interesit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar dhe për t’u dakorduar për avancimin e çështjeve që lidhen me tregtinë, transportin dhe logjistikën e qëndrueshme dhe efiçiente.
“Samiti për Lidhshmërinë fokusohet në investimet në infrastrukturën e transportit dhe reformat e politikave që do të lehtësojnë kalimin drejt lëvizshmërisë më efiçiente në Ballkanin Perëndimor në përputhje me dokumentet strategjike të Komunitetit të Transportit. Veprimet që targetojnë kalimet kryesore kufitare rrugore dhe hekurudhore në hapësirën indikative të Rrjetit TEN-T në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe vendet fqinje anëtare të BE-së, do të trajtojnë mungesën e efiçiencës dhe vonesat në ato pika, si dhe do t’i modernizojnë operacionet. Komuniteti i Transportit po punon me partnerët e tij për të përmirësuar ndërveprimet e modaliteteve të ndryshme të transportit përgjatë Rrjetit për të mundësuar mbarëvajtjen e veprimtarisë së zinxhirëve logjistikë me më shumë efiçiencë dhe më pak të kushtueshëm,” tha drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek.
Duke theksuar rëndësinë e nismës së Korsive të Gjelbra, drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s, Emir Gjikiq, tha: “Nuk mund të zgjidhnim temë më të mirë për Samitin për Lidhshmërinë së këtij viti sesa ajo që i referohet forcimit të lidhjeve në transport dhe tregti ndërmjet CEFTA-s dhe BE-së. Korsitë e Gjelbra janë shumë më tepër se transport i thjeshtuar i mallrave, janë një mekanizëm mbështetës i vazhdueshëm për bizneset tona, nëpërmjet vendosjes së shërbimeve të digjitalizuara dhe shkëmbimit sistematik të të dhënave elektronike (SEED+), që na afrojnë me tregtinë pa shkresa. Është edhe koncepti i bashkëpunimit të zgjeruar me BE-në. Komisioni Evropian është i përkushtuar për zbatimin e plotë të Korsive të Gjelbra dhe koordinimin e ngushtë në çështje të tjera doganore dhe kufitare, çka e konfirmon edhe një herë se palët e CEFTA-s janë partnerë të besueshëm”.
“Samiti i Lidhshmërisë “Lidhje të qëndrueshme – Ekonomitë më të Forta” shënon momentum të rëndësishëm në punën drejt rritjes së lidhshmërisë rajonale dhe rritjes ekonomike. Pjesëmarrja e Ministrave të Infrastrukturës, Drejtorëve të Përgjithshëm të Doganave dhe zyrtarëve të lartë të BE-së dhe BB-së, ofron një qasje praktike për kontribute të mëdha në lehtësimin e tregtisë. Kjo arritje është e një rëndësie të madhe për ekonomitë tona. Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit të Nivelit të Lartë për Hartat Indikative të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në Ballkanin Perëndimor ndërmjet BE-së dhe palëve kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Transportit, si dhe miratimi i Deklaratës së përbashkët ndërmjet CEFTA-TCT dhe BE-së për Korsitë e Gjelbra, shënojnë një moment historik të rëndësishëm në punën drejt lidhjeve efiçiente të transportit multimodal dhe infrastrukturës moderne. Kjo padyshim promovon lehtësimin gjithëpërfshirës të tregtisë në zinxhirët e plotë të furnizimit në ekonomitë tona. Agron Llugaliu, Drejtor i Përgjithshëm, Dogana e Kosovës.
Memorandumi i Mirëkuptimit i nivelit të lartë për hartat indikative të TEN-T në Ballkanin Perëndimor, u nënshkrua nga BE-ja dhe palët kontraktuese të Traktatit të Komunitetit të Transportit. Krijimi i korridorit të ri Ballkan Perëndimor-Mesdhe Lindor synon të forcojë kohezionin ekonomik, social dhe territorial të rajonit, si dhe të krijojë sisteme transporti të lidhura mirë për kalimin e kufijve, pa hendekë fizikë, fyta të ngushtë apo hallka që mungojnë. U miratua edhe Deklarata e Përbashkët CEFTA-TCT “Avancimi i Korsive të Gjelbra”, duke u zotuar për lehtësim të mëtejshëm të transportit dhe tregtisë me synimin për të reduktuar kohën e pritjes dhe për të përmirësuar efiçiencën e zinxhirëve logjistikë dhe të vlerës në BE. Kjo do të jetë shtysë e mëtejshme për të gjitha autoritetet relevante për të punuar për zgjerimin e plotë të Korsive të Gjelbra dhe vendosjen e kontrolleve kufitare me një ndalesë dhe të sinkronizuara.
Shtrirja e Korsive të Gjelbra në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si përgjigje ndaj krizës sanitare në vitin 2020, dhe Korsitë e Solidaritetit BE-Ukrainë, si rezultat i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, janë shembuj të mirë të trajtimit të bllokimeve të transportit dhe tregtisë dhe që vënë në pah rëndësinë e masave afatgjata për lehtësim të transportit dhe tregtisë, siç janë infrastruktura multimodale, marrëveshjet ndërkombëtare të tranzitit, digjitalizimi i procedurave dhe ndarja para mbërritjes e informatave për lëvizjen e mallrave.
Marrë parasysh këto zhvillime, palët e Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, ndajnë një emërues të përbashkët kur flitet për zhvillimin e politikës dhe rrjetit të tyre të transportit: nevoja për të punuar së bashku dhe me Komisionin Evropian për vendosjen e të njëjtave standarde dhe cilësie shërbimi përgjatë një rrjeti vërtet të ndërlidhur TEN-T që do të lidhë Evropën me Azinë Qendrore, duke hapur mundësitë për rrugë të reja tregtare ose duke i forcuar ato ekzistuese.