Shqyrtimi fillestar ndaj tre të akuzuarve Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, do të fillojë më 24 maj 2023, në Gjykatën Themelore në Pejë.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjyqtarja e çështjes Violeta Husaj-Rugova.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2023, në një konferencë për medie, ka bërë të ditur që lidhur me vrasjen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, është ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetajt për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe ndaj Halil Mehmetajt për “Shtytje në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë”.
Në atë konferencë, prokurorja e rastit Sahide Gashi, bëri të ditur se ndaj të pandehurit Malsor Mehmetaj, kanë pushuar hetimet pasi nuk është arritur të vërtetohet dyshimi se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.