Muhabi Osmani, babai i 18-vjeçares Marigona Osmani e cila dyshohet se u vra mizorisht nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, ka folur për aktakuzën e ngritur ditë më parë ndaj këtyre dy të fundit.
Osmani ka bërë të ditur se publikimi i aktakuzës ka rënduar edhe më shumë dhimbjen për familjarët, të cilët kanë kuptuar se si ka ndodhur ngjarja tragjike.
“A e din çka është fëmija, zemër. A e din çka është zemra, qashtu sikur me ta hjek zemrën. Tash edhe ma shumë, se po dihet pak a shumë ngjarja qysh ka ndodh. Jena ma të lëndum, ma të shkatërrum”, tha ai në Frontal të T7.
Babai i 18-vjeçares kërkon me ngulm dënimin me burgim të përjetshëm për dy të akuzuarit, Krivaqa e Sejdiu.
“Presim dënim maksimal, prova kanë, fakte kanë, incizime të bollshme ka prokuroria, po presim dënim maksimal për të dytë, burgim të përjetshëm. Jo more çfart, nuk vjen në konsideratë dënim tjetër”, u shpreh ai.
Pas humbjes të së bijës, Osmani u bën apel të gjitha grave dhe vajzave që të lajmërojnë çdo rast të dhunës në familje.