Në moshën 24 vjeçare, në një pritë të organizuar në 2005’ën, u vra Enver Haradinaj, djali i pestë i Hilmi Haradinajt dhe vëllai i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky ishte i treti që ishte vrarë në këtë familje. Por, si u vra Enveri? Si e fali Ramush Haradinaj gjakun e vëllait në ditën e varrimit? Ku ishin Ramushi e Dauti në kohën kur iu vra vëllai? Express ju sjell një përmbledhje të këtij rasti, sot kur bëhen 18 vjet nga ngjarja tragjike.
Në prill të vitit 2005, kishte ndodhur një nga ngjarjet më tragjike në Dukagjin. Ishte vrarë ish-luftëtari Enver Haradinaj, vëllai i ish-kryemininistrit e komandatit të UÇK’së, Ramush Haradinaj.
Ai ishte vrarë në pritë, derisa po kthehej nga Peja në Deçan. Mbi të ishte hedhur breshëri plumbash mes fshatit Lubeniq dhe Raushiq, në magjistralen Pejë-Gjakovë.
Enveri ndodhej në xhipin e tipit “Opel Montero”, ngjyrë vishnje.
Nga vetura që kishte parakaluar xhipin ishte shtënë gjatë disa dhjetëra metrave. Burime nga vendi ngjarjes tregonin se vetura kishte qenë e tipit “Audi 80”, ngjyrë e kuqe. Por, policia nuk kishte dhënë ndonjë hollësi, duke mohuar të kenë ndonjë të dhënë.
Policia kishte dalë në vend të ngjarjes dhjetë minuta më vonë, kur i plagosuri ishte dërguar për në Spital të Pejës.
Plagëve të rënda që kishte marrë, s’kishte mundur t’iu rezistojë as deri në hyrje të qytetit. Kishte vdekur rrugës.
“Krimi ka ndodhur rreth orës 15:00, në momentin kur viktima shkonte në drejtim të Deçanit”, kishte shpjeguar Zeqir Kelmendi, në atë kohë zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës për Rajonin e Pejës.
Në deklaratën e lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës thuhej se Enveri kishte vdekur shumë para se të arrinte në Qendrën Spitalore.
Kufoma e Enverit më vonë ishte transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Rahovec, ku ishte bërë obduksioni.
Enveri ishte i treti djalë që ishte vrarë nga familja Haradinaj. Dy djemë të tjerë të kësaj familje, Luani dhe Shkëlzeni, ishin vrarë gjatë luftës.
Ramushi dhe Dauti u liruan për të marrë pjesë në varrim
Dy vëllezërit e tjerë, Ramushi dhe Dauti, ndodheshin në burg në kohën kur kishte ndodhur ngjarja tragjike.
Ramushi ishte i arrestuar me akuzë të Tribunalit të Hagës për krime lufte, derisa Dauti ishte i dënuar me 5 vjet e gjysmë burgim për këtë vepër.
Në varrimin e Enverit kishin marrë pjesë dhjetëra mijëra veta. Për ceremoninë e varrimit kishte ardhur nga Haga Ramush Haradinaj, i cili ishte liruar me kusht, si dhe Daut Haradinaj, i cili ishte liruar për disa orë nga burgu i Dubravës.
Në Gllogjan kishin shkuar edhe personalitete të larta të jetës politike e publike në Kosovë, derisa ceremonia e varrimit ishte zhvilluar nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës.
Derisa ceremonia e varrimit po zhvillohej, policia kishte njoftuar se kishte gjetur fakte të reja për mënyrën e vrasjes së Enver Haradinajt, por se nuk kishte arritur ende që të kapë askënd si të dyshuar për këtë vepër penale.
Zëdhënësi i atëhershëm i policisë së Kosovës, Refki Morina, kishte thënë se organet e hetuesisë dhe kriminalistikës kanë gjetur prova të reja në vendin e ngjarjes:
“Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja të kalibrit 7- 62 milimetra dhe në vazhdimësi do të thoja proçedura është në vazhdim duke u bërë ekzamini i veturës dhe dëshmitari i rastit dhe dëshmive të reja të rëndësishme për këtë rast. Kërkohet dhe një bashkëpunim më i madh i banorëve të kësaj zone me policinë”, kishte thënë Morina.
Në ditën e varrimit të Enver Haradinajt, në Kosovë ishte shpallur ditë zie dhe të gjitha aktivitetet publike ishin pezulluar.
Si e fali Ramushi gjakun e vëllait ditën e varrimit?
Ramush Haradinaj ishte deklaruar për vrasjen e vëllait, për herë të parë në Pressing të T7.
Kishte thënë se atë ditë e kanë falur vrasësin, për të mos vazhduar vëllavrasjen.
“Me rastin e Enverit, m’kujtohet na atë ditë e kemi falë. Për shqiptarë e kemi falë se e kemi ditë që edhe qëllimi është me të shti në ndonjë zingjir, me e bind dikënd që ti ia ke vra dikënd. Kemi folë, por na s’kemi deshtë me nxjerr veç familjarin tonë n’dritë ose me na bind ne kush na ka vra, që me vazhdu një vëllavrasje. Unë mendoj që kjo agjendë, burimin s’mundet me pas te shqiptarët, agjenda e vëllavrasjes. Në fakt, shqiptarët kanë dhanë shembuj që dinë me ndalë këta, si rasti i Anton Çetës, Lëvizja e Pajtimit etj. Unë mendoj që pjesa e kësaj mundet me kanë diku tjetër. Nuk mundet me kanë në Kosovë, një proces që i dëmton njerztë. S’ka logjikë me kanë e Kosovës”, kishte deklaruar Haradinaj.
Këtë veprim të vëllait, Daut Haradinaj e kishte cilësuar triumf, në një intervistë në Pressing.
Sipas Haradinajt, fjalimi i Ramushit në ceremoninë e varrimit ndikoi që Dukagjini të qetësohej.
Ai tregon fjalët që kishte thënë Ramushi, atë ditë. E për vrasjen e Enverit, ai kishte drejtuar gishtin ka shërbimet e jashtme.
“Unë hala vazhdoj me besu që i njëjti personalitet rus ka pas dorë në gjitha ato fatkeqësi që kanë ndodhë në Dukagjin, por mendoj që poashtu triumfi i Ramushit i madh, përpos marrëveshjes me Rugovën për bashkëqeverisje, është edhe fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit. Ka qenë mllef i madh. Unë kom mbërri dy orë ma herët se Ramushi në familje, pastaj ka ardh Ramushi, por ka qenë një tension, kur e ki gjithë atë masë, padyshim një burrë i ligë e orienton keq atë masë. Por, Ramushi bani burrni e tha le të jetë kjo dhimbja e fundit në familjet e shqiptarëve dhe shpresoj që s’o dorë shqiptare, por kushdo që t’është, me këtë rast po e mbylli”, kishte deklaruar Dauti.
18 vjet nga vrasja, ende s’është kapur vrasësi/vrasësit
Sot, janë bërë 18 vjet nga dita kur është vrarë Enver Haradinaj. Rasti i vrasjes së Enverit, ishte mbyllur, vetëm pak muaj pasi kishte ndodhur vrasja.
Fillimisht për vrasjen e Enver Haradinajt, në polici ishte vetëdorëzuar Tasim Osaj, si i dyshuar ta ketë kryer këtë akt. Osaj ishte dorëzuar vullnetarisht në korrik të 2005. Por një vit më vonë, për shkak të mungesës së dëshmive, një gjykatë pezulloi rastin kundër Osajt.
Këtë rast tash po e heton Prokuroria e Pejës. Para katër vjetësh, për rastin ishte intervistuar edhe Ramush Haradinaj, në cilësinë e dëshmitarit.
“Dje është intervistuar Ramush Haradinaj, për këtë prokurori është duke ndërmarrë veprime hetimore në mënyrë që kjo çështje penale të mbyllet sa më parë”, kishte thënë Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë së Pejës.
Vrasësi/vrasësit e Enverit ende s’janë kapur.