Tre personat e dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, pritet të dalin para gjykatës gjatë ditës së nesërme.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi për lajmi.net.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Kosovës sot do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të ndaluar për veprën penale ‘’Nxitja e përçarjes dhe urrejtjes’’, për rastin e sulmit fizik ndaj gazetarit, Valon Syla.
“Po nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore ndaj tre personave të dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla”, ka thënë Gashi.
L.Dervishi, O. Hasani dhe K.Hasani po dyshohen se kanë kryer veprën penale të nxitje e urrejtjes dhe përçarjes.
Ata gjatë mbrëmjes së djeshme janë arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës.
Dy natë më parë gazetari Valon Syla u sulmua fizikisht dhe mori lëndime trupore për çka edhe u trajtua në aspektin mjekësor. Pas sulmit ai tha se është sulmuar nga “tre islamikë fanatikë”.