Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës në Rashkë nga ku ka deklaruar se i kanë thënë ndërkombëtarët që “unë do të jem përgjegjës nëse prishen zgjedhjet në Veri të Kosovës”.
Ai, duke bërë një analizë të tij, u ka shpjeguar serbëve se cili është plani i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Veriun.
Sipas Vuçiç-it, kur të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore, pa prezencën e Listës Serbe, në disa nga ato komuna zgjidhet ndonjë kryetar shqiptar dhe më pas Kurti thotë se ato tashmë s’janë komuna me shumicë serbe dhe rrjedhimisht s’formohet Asociacioni.
“Kurti insiston për të mbajtur zgjedhje dhe më pas për të thënë – ‘ne kemi dashur të formojmë Asociacionin por Mitrovica, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi nuk janë më komuna serbe dhe nuk do t’i bashkohen Asociacionit të Komunave Serbe”, deklaroi Vuçiç.
Por, për Vuçiç-in, kjo është një tentativë e kotë, sepse “kjo do t’i blinte Kurtit vec edhe gjashtë muaj, deri në një vit deri sa të kalojë pushtimi i imponuar nga Kurti”.
Ai përsëriti më pas se perëndimi i ka thënë “mos ndërhyni”.
“Të mos i pengojmë që 0.67 apo 0.86 qytetarë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe 99 për qind të tjerë nuk pyeten asgjë. Dhe kjo është ndoshta ajo demokraci, të cilën nëse e kërcënojmë do të jemi – tiranë, faktorë përçarës dhe njerëz që shkatërrojnë me çdo kusht stabilitetin dhe paqen në Ballkan, apo jo?”.
Vuçiç, pos kësaj tha se është në pozitë të vështirë meqë as ndërkombëtarët – ndryshe nga sa e thonë – nuk janë të interesuar ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Pozicioni ynë është i vështirë, sepse e dimë se shumica e vendeve perëndimore, ato që e njohën Kosovën, nuk janë aspak të interesuara për Asociacionin, pavarësisht se si flasin për të, dhe nuk janë të interesuar për mbijetesën e popullit tonë në Kosovë. Ata janë të interesuar që ne de fakto dhe de jure ta njohim Kosovën, kjo është gjithçka që u intereson”, tha Vuçiç në Rashkë, transmeton AlbanianPost.
Pos deklarimeve për Asociacionin, Vuçiç i ka njoftuar serbët e Kosovës se në forma dhe programe të ndryshme, Qeveria e Serbisë ka vendosur të ndajë edhe 28 milionë euro shtesë, përtej pagave që aktualisht marrin si kompensime, prejse u larguan nga institucionet e Kosovës.