Fillon lëvizja e lirë ndërkufitare mes Kosovës e Shqipërisë, përfitojnë afër 200 mijë banorë nga të dy anët e kufirit

Ka filluar lëvizja e lirë ndërkufitare mes Kosovës e Shqipërisë.

Këtë e konfirmoi vetëm para pak çastesh, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përcjell lajmi.net.

Shefi i ekzekutivit pohoi se sot, të dy ministritë e brendshme, në të dy anët e kufirit kanë vënë të zezën mbi të bardhë rreth protokollit zbatues të marrëveshjes qeveritare për regjimin e trafikut lokal në zonat kufitare.

“Mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në zonat ndërkufitare Kosovë-Shqipëri. Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar Protokollin Zbatues të Marrëveshjes Qeveritare për Regjimin e Trafikut Lokal në Zonat Kufitare, duke mundësuar e jetësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve që banojnë në zonat kufitare, në 26 vendkalime të veçanta kufitare”.

Tutje, i pari i qeverisë dha detaje shtesë, duke thënë se përfitues do të jenë mbi 200 mijë banorë të zonave deri në 30 kilometra nga kufiri tokësor.

“Prej ditës së sotme, mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare etj.Kjo Marrëveshje thellon edhe më tej bashkëpunimin tonë ndërshtetëror dhe lehtëson ndërveprimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit”.