Arrijnë të dalin mbi 20 minatorë të ngujuar në “Trepçë”

Rreth 20 nga 30 minatorët e minierës së “Trepçës”, të cilët kishin mbetur të ngujuar që nga orët e para të mëngjesit të 10 prillit, tashmë kanë arritur të dalin.

Këtë për Portali Dukagjini e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve të ndërmarrjes “Trepça”, Ibrahim Jonuzi, i cili shtoi se përpjekjet për t’i nxjerrë edhe 10 minatorët e tjerë po vazhdojnë.

“Edhe 10 të fundit janë duke u nxjerrë, për rreth 20 minuta dalin të gjithë. Rreth 40 minatorë kanë qenë të ngujuar, por kohë pas kohe kanë dalë përmes daljeve të dyta kush ka qenë më i fortë fizikisht, nuk kanë pritur”, ka thënë ai.

Sipas Jonuzit, gjendja e minatorëve të nxjerrë është stabile.

“Gjendja shëndetësore është stabile, përveç disa shqetësimeve për shkak të kohës së gjatë që kanë qëndruar, shqetësime të vogla si shtypja”, shtoi ai.

Në vendin e ngjarjes, sipas tij, kanë arritur edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, drejtuesit e Trepçës, ekipet e emergjencës dhe ekipet mobile për nxjerrjen e minatorëve të ngujuar.