Kompania e njohur amerikane për prodhime mjekësore, “Moderna”, ka premtuar se vaksinat kundër kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare e autoimune si dhe probleme të tjera shëndetësore do të jenë të gatshme për përdorim nga viti 2030.
Studimet për këto vaksina po shfaqin “premtim të jashtëzakonshëm” dhe disa hulumtues thonë se progresi që zakonisht zgjat 15 vjet është shënuar për 12 deri në 18 muaj duke iu falënderuar suksesit të vaksinës kundër koronavirusit, raporton gazeta “The Guardian”.
Dr. Paul Burton, shef mjekësor në kompaninë “Moderna”, tha se beson që kjo kompani do të mund të ofrojë trajtime të tilla për “Të gjitha llojet e fushave të sëmundjeve” brenda hiç më shumë se pesë viteve.
Kompania e njohur, e cila zhvilloi një vaksinë udhëheqëse kundër koronavirusit, është duke zhvilluar vaksina kundër kancerit që vënë në shënjestër lloje të ndryshme të tumorit.
“Ne do ta kemi atë vaksinë dhe do të jetë shumë efektive e do të shpëtojë qindra mijëra, nëse jo miliona jetë. Mendoj se do të mund të ofrojmë vaksina të personalizuara të kancerit kundër shumë llojeve të tumorit për njerëzit përreth botës”- tha z. Burton.
Ai gjithashtu tha se shumë infeksione të sistemit respirator do të mund të mbulohen me një vaksinë të vetme, duke u mundësuar njerëzve të ndjeshëm që të jenë të mbrojtur nga koronavirusi, gripi dhe virusi sincitial respirator (RSV) – ndërsa terapinë me teknologjinë e mRNA-së mund të jenë në dispozicion për sëmundje të rralla për të cilat tash për tash nuk ka ilaçe. Siç transmeton Nacionale, terapitë e bazuara në këtë teknologji funksionojnë duke i mësuar qelizat se si të prodhojnë një proteinë që e nxit reagimin e sistemit imunitar të organizmit kundër sëmundjeve.
“Mendoj se do të kemi terapi të bazuara në mRNA për sëmundje të rralla që më parë ishin të patrajtueshme me ilaçe dhe mendoj se pas dhjetë vjetëve, do t’i afrohemi një bote ku vërtet mund ta identifikoni shkaktarin gjenetik të një sëmundjeje dhe, me thjeshtësi relative, ta editoni atë dhe ta riparoni duke e përdorur teknologjinë mRNA”- shtoi ai.