Jo veç shpirtërore, agjërimi ka një mori efektesh pozitive shëndetësore

Muaji i Ramazanit njihet si një muaj agjërimi në të gjithë botën për myslimanët. Gjatë këtij muaji, ata agjërojnë duke hequr dorë nga ushqimi dhe pija që nga agimi deri në perëndimin e diellit. Kjo për të përmbushur një prej shtyllave kryesore të Islamit.

E përveç dobive shpirtërore, agjërimi sjell me vete edhe një mori efektesh pozitive shëndetësore, shkruan Syri.net Kosova.

‘Agjërimi i muajit Ramazan është rasti ideal që me një dietë të ekuilibruar’

Ismail Lutolli, subspecialist-dietolog-nutricionist, tregon se agjërimi është ‘shërim i heshtur’ i tërë organizimit të njeriut.

Kjo, pasi siç thotë ai, gjatë këtij procesi organizimi i agjëruesit pastrohet nga toksinat si dhe tepricat e tjera të krijuara gjatë tërë vitit, raporton syri.net Kosova.

‘Njeriu ka nevojë për një nisje të re në jetën e tij. Organizmi ka nevojë për ripërtëritje dhe regjenerim të përgjithshëm. Muaji Ramazan është rasti ideal për një nisje të re. Agjërimi për organizmin është një pushim dhe ripërtërije nga niveli qelizor e tutje. Pra, është një shërim i heshtur i tërë organizmit duke eliminuar toksina e tepricat tjera të krijuara gjatë një viti’, shprehet Lutolli.

Sipas Lutollit, agjërimi i muajit Ramazan është rasti ideal që me një dietë të ekuilibruar të arrijmë të largojmë tepricat e grumbulluara, të shtojmë vetëkontrollin në ushqim dhe të ndodhin tri gjëra të rëndësishme në organizëm:

-detoksikimi

-regjenerimi

-mjekimi i përgjithshëm

‘Shpeshherë ne e teprojmë në shumë gjëra gjatë jetës, kështu ndodhë edhe me ushqimin që marrim. E tërë kjo tendencë sjellë deri te pesha e tepërt (obeziteti) dhe çrregullimet tjera me shëndetin. Përfshirë sëmundjet e ndryshe (kardiovaskulare, malinje etj)’, shprehet tutje Lutolli.

‘Në këtë gjendje vazhdojmë me tendencat tjera që me dieta të shpejta dhe sforcimin e skajshëm fizik, të rikthejmë peshën dhe e tërë kjo e thellon edhe me shumë çrregullimet e shëndetit. Në këtë gjendje shpeshherë edhe të pashpresë, vije një muaj, muaji Ramazan kur ndryshimet janë të mundshme, me pak vullnet dhe angazhimin tonë’.

E për të gjithë ata që agjërojnë, nutricionisti ka disa këshilla sa i përket mënyrës së të ushqyerit.

‘Ajo që duhet të kemi kujdes është që vaktet t’i organizojmë mirë dhe të marrim sasi të mjaftueshme të ujit apo lëngjeve”, thotë ai treguar se kjo arrihet duke mos e tepruar me sasi të mëdha të ushqimit, por duke pasur kujdes që ushqimi të cilin e konsumojmë të përmbajë të gjithë përbërësit e nevojshëm si proteina, karbohidrate, yndyra të shëndetshme, vitamina dhe minerale’.

Lutolli gjithashtu sugjeron që të rritet numri i vakteve në mënyrë që të mos shfaqen probleme metabolike.

‘Gjatë periudhës së agjërimit, të gjithë ata që mbajnë Ramazan, ushqehen në dy vaktet kryesore, siç janë iftari dhe syfyri, por është shumë e rëndësishme rritja e numrit të vakteve, për të mos përjetuar probleme metabolike. Për këtë arsye, mundohuni të konsumoni edhe një vakt pas iftarit ose para gjumit së paku 1 orë’.

‘Agjërimi është obligim për çdo besimtar të fesë islame e që shoqërohet me ndikim pozitiv në të gjitha sistemet e organizmit’

Derisa edhe Ylfete Retkoceri që është me profesion alergologe- Imunologe thotë se përpos përmushjes shpirëtore, agjerimi i Ramazanit ka efekte të shumta në aspektin shëndetësor.

Retkoceri rëndit disa probleme shëndetësore që parandalon agjerimi gjatë këtij muaji.

‘Agjërimi është obligim për çdo besimtar të fesë islame e që shoqërohet me ndikim pozitiv në të gjitha sistemet e organizmit. Ne agjërojmë qe të kënaqim Zotin tonë , e jo të arrijmë ndonjë benefit siç është humbja e peshës. Këto dhurata i marrim sigurisht gjate apo pas agjërimit.

Agjërimi parandalon disa probleme shëndetësore siç është kolesteroli i lartë, sëmundjet e zemrës. Rritet metabolizmi që djeg yndyrën dhe ulet niveli i triglicerideve dhe kolesterolit në gjak. Kështu lehtësohet qarkullimi i gjakut në enët e gjakut dhe stabilizohet tensioni. Zemra i nënshtrohet një pushimi 1 mujor, nga 14.000 rrahje ne minutë ajo tani punon me pak.

Me agjërim sigurohet pastrimi i zorrëve sepse sistemi i tretjes dhe mëlçia janë në pushim. Kështu ndodh detoksikimi apo largimi i helmeve nga organizmi’, u shpreh ajo në një bisedë për Syri.net Kosova.

Retkoceri përmend edhe humbjen e peshës gjatë këtij muaji e cila mund të filloj pas javës së tretë të Ramazanit duke ju mos ju nënshtruar patjetër tejngopjes dhe mbingarkimit.

‘Pas javës se tretë fillon rënia e peshës trupore sigurisht nëse nuk i jemi nënshtruar tejngopjes, mbingarkimit, kemi respektuar kohën e marrjes së ushqimit, sasinë, cilësinë dhe kësaj ia kemi bashkangjitur aktivitetet e lehta trupore gjatë ditës e jo gjumin. Pas prishjes së agjërimit me ujë dhe hurma, ne pauzojmë pak qe të kryejmë lutjet mandej mund të marrim ushqime të lehta me ndërprerje. Ka rendësi hidratimi i organizmit, marrja e pemëve dhe perimeve të freskëta dhe ushqimi proteinik.

Agjërimi stabilizon kujtesën verbale tek të rriturit, të mësuarit, perceptimin. Parandalon disa forma të depresionit dhe Alzhaimer apo Parkinson në fillet e tyre. Gjatë agjërimit lirohet hormoni proteinik neurotrofik që nxit rigjenerimin e qelizave nervore’, shtoi më tutje.

Sipas alergologes agjërimi rregullon reagimin e trupit ndaj insulinës dhe me këtë zvogëlohet rreziku i shtimit ne peshë. Shumica e diabetikëve agjërojnë pa problem ne muajin e Ramazanit por edhe tendenca për agjërim mund te jete e personalizuar dhe varet nga gjendja shëndetësore.

Përfundimi i këtij muaji do të jetë më 20 prill, gjë që pason me festën e Fitër Bajramit.

Agjërimi është një nga pesë shtyllat e Islamit, krahas deklarimit të besimit në Zot dhe pranimit të Profetit Muhamed si të dërguar të Tij, pesë faljeve ditore (namazi), Haxhit dhe dhënia e lëmoshës ose bamirësia (Zekati).