Gjykata Themelore në Pejë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Arton dhe Nezir Duraku, duke i dënuar me 15 vite burgim (së bashku), pasi pranuan fajësinë se nga aksident trafiku shkaktuan vdekjen e të riut F.Sh., dhe të njëjtit nuk i ofruan ndihmë.
Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve, u shpall të enjten, nga kryetari i trupit gjykyes, Shaqë Curri, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas aktgjykimit, i akuzuari Arton Duraku, për veprën penlae “Rrezikim i trafikut publik” u dënua me 10 vite burgim, ndërsa për “Mosdhënie të ndihmës” me 3 vite burgim. Ndaj tij, gjykata shpalli dënim unik prej 10 vite burgim.
Kurse, i akuzuari Nezir Duraku për veprën penale “Mosdhënia ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut”, u dënua me 5 vite burgim.
Pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civil.
Në dënimin me burgim, do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 22 nëntor 2022.
Ndryshe, në seancën e 3 prillit, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.
Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.
Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.
Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.
Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku, ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së.