Babai i Granit Xhakës, Ragipi, në një bisedë për gazetën Nacionale ka konfirmuar se djali i tij vazhdon me pushimet dhe që nuk është lojtari që u arrestua në Londër me akuzat për përdhunim.
Gjatë ditës së djeshme është raportuar për një futbollist nga Londra, të moshës 29-vjeç që u arrestua me akuzat se ka përdhunuar një 20-vjeçare.
“Më 4 korrik, një pretendim për përdhunim të një gruaje rreth të 20-tave u raportua në polici. U raportua se përdhunimi i supozuar ka ndodhur në qershor të vitit 2022”, shkruhej në komunikatën e policisë.
E pas kësaj komunikate, nisën raportimet që lojtari në fjalë luan për Arsenalin, por duke mos u shfaqur identiteti.
Kështu, duke shikuar moshën e lojtarëve të Arsenalit, tre prej tyre janë 29 vjeç pra Granit Xhaka, Thomas Partey dhe Mohamed Elneny.
Sidoqoftë, në një bisedë për Nacionalen, babai i Xhakës ka konfirmuar se djali i tij është në pushime.
“Jo more çfarë, Granit Xhaka është shumë mirë, si molla, është në deti tash. Po çka na intereson neve çka shkruajnë gazetat, mos i lexoni ato. Graniti është shumë mirë”, tha fillimisht ai.
Pastaj shtoi: “Çka na intereson neve çka bëjnë njerëzit more, ajo pjesë nuk na duhet fare”, nënvizoi Ragip Xhaka.
Ndërkohë, përpos yjeve të Arsenalit, gjithashtu është i dyshuar është edhe mbrojtësi i Tottenhamit, Ben Davies.