Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në fshatin Gumnishtë të Poshtme të Gjilanit, ku pas një konflikti mes tre personave, kanë mbetur të plagosur dy vëllezër.
Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës në Gjilan kanë bërë me dije se viktimat janë dërguar atje me plagë që dyshohet t’u jenë shkaktuar nga arma e zjarrit dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, njëri prej të lënduarve është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë i lënduar tjetër është në gjendje stabile dhe është liruar pas marrjes së tretmanit mjekësor.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një thikë dhe tre gëzhoja të cilat dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa 37-vjeçari është dërguar në mbajtje.