Përdorimi i tepruar i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha qytetarëve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme.
Në telashe me dy të dehur ka përfunduar mbrëmë edhe një person që ushtron veprimtarinë e taksistit në qytetin e Gjilanit.
Sinjali mëson se si pasojë e një sherri me dy të dyshuarit, 39-vjeçari ka mbetur i therur me thikë dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Pas dhënies së ndihmës së parë, gjendja shëndetësore e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Policinë e Kosovës.
Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, gjithçka ka ndodhur pasi që dy të dyshuarit i kishin kërkuar taksistit që t’i dërgojë ata në një lokacion të caktuar.
Mirëpo pasi 39-vjeçari ka vërejtur se pasagjerët janë të dehur, ka refuzuar që t’i transportojë ata duke u thënë se ka një defekt me veturën.
Në atë moment, dy të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht viktimën dhe njëri prej tyre dyshohet se e ka goditur me thikë në vesh.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarit dhe të njëjtit janë dërguar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’. /GazetaSinjali