Në Hagë, sot fjalën e kishte mbrojtja e krerëve të UÇK-së, ndaj të cilëve ka nisur dje gjykimi për krime lufte. Përveç mbrojtjes, kanë folur edhe Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi.
Pas dy vjet e gjysmë prej kur ishin arrestuar, ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Të katërt akuzohen për krime lufte, me kualifikimin nga prokuroria si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Në ditën e parë të gjykimit, të hënën, fjala ishte te Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i ka shpalosur akuzat ndaj të katërtëve. ZPS është fokusuar të dëshmojë se UÇK-ja ka funksionuar në mënyrë hierarkike dhe Shtabi i Përgjithshëm ka pasur fuqi dhe kompetenca ekzekutive.
Sot ka folur mbrojtja, nisur nga ajo e ish-udhëheqësit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit.
Avokati kryesor i tij, Gregory Kehoe, është fokusuar në demantimin e Prokurorisë për “mirëorganizimin” dhe funksionimin strikt të UÇK-së, sipas hierarkisë. Ai ka prezantuar video e deklarata që dëshmojnë se klienti i tij nuk ka pasur kompetenca ekzekutive, nuk ka marrë vendime mbi UÇK-në dhe nuk ka pasur kontroll mbi të.
Ndër figurat kryesore që avokati i Thaçit i ka përmendur vazhdimisht është veprimtari Adem Demaçi, që ka qenë përfaqësuesi politik i UÇK-së. Sipas mbrojtjes së Thaçit, ndikimin për vendime politike në UÇK e kishte Adem Demaçi dhe komandantët e shtatë zonave operative të ushtrisë.
Për ta ilustruar këtë, avokati Kehoe është ndalur te procesi i Rambujesë, ku ka ekspozuar dhjetëra deklarata, përfshirë të top diplomatëve evropianë dhe amerikanë, që kishin treguar se Thaçi nuk po mund ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë, pasi nuk e kishte bekimin e bashkëluftëtarëve dhe të Demaçit.
“Sa i takon aftësisë së Thaçit për të nënshkruar marrëveshjen e Rambuje, kjo vihet në dyshim nga një sërë faktorësh. Faktori i parë është se duhej të ekzistonte njëfarë aprovimi nga Adem Demaçi. Adem Demaçi ishte përfaqësuesi i përgjithshëm politik dhe autoriteti suprem politik i UÇK-së. Gjatë konferencës në Rambuje u largua për të shkuar në Slloveni, që t’i merrte miratimin dhe mbështetjen e Demaçit”, tha tha Kehoe.
Pasi e kreu mbrojtja, fjalën e mori ish-Presidenti Thaçi.
Ai nisi adresimin e tij duke shprehur keqardhje për secilën viktimë të luftës në Kosovë, pa marrë parasysh etninë.
“Sot po nisim një rrugëtim së bashkë, rrugëtim drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Këto janë parime të çmuara për mua, janë gurthemeli i demokracive dhe paqes. Më lejoni të shfrytëzoj këtë moment që ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj luftë të tmerrshme pavarësisht përkatësisë etnike fetare apo politike. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Padrejtësia nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, ka thënë Thaçi.
Në aktakuzën e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por edhe në prezantimin e djeshëm, Prokuroria në Hagë përmendi vazhdimisht aktivistë të LDK-së, që pretendon se janë ndaluar, kërcënuar e keqtrajtuar nga krerët e UÇK-së për shkak të aktivitetit politik të tyre.
Thaçi tha se mes shqiptarëve, kundërshtarët e vetëm ishin forcat serbe, si për krahun e LDK-së, ashtu edhe të UÇK-së.
“Kundërshtarët tonë ishin ushtria policia dhe paramilitarët serbë të kalitur në fushatat e tyre të vrasjeve në Bosnje. Të nderuar, si rezistenca paqësore dhe e armatosur kishte synim lirinë, pavarësinë dhe rendin demokratik të Kosovës. Pa atë rezistencë gjithëpopullore, Kosova s’do të ekzistonte fare. Qytetarët e Kosovës s’donin luftë, ishin të përkushtuar për paqe. Lufta u imponua. Kosova ishte në anën e drejt të historisë”, ka theksuar tutje.
Thaçi tha se po të ishin gjallë top diplomatët botërorë të kohës së luftës, do të dëshmonin në mbrojtje të tij. Përmendi edhe Demaçin dhe ish-Presidentin Rugova.
“Me vjen keq që s’mund të dëgjojmë dëshmitë e znj. Albright, [Ish-sekretare amerikane], sekretarit [britanik] Robin Cook, senatorit Rober Dole, Richard Holbrook-ut, shefit të parë të UNMIK-ut, presidentit Ibrahim Rugova, Fehmi Aganit e Adem Demaçit. Ata do të kishin dëshmuar për mua, për atë që kam thënë dhe bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme në historinë e lirisë”, tha Thaçi.
Ndërkaq, shtoi se shume burrështetas të nivelit të ngjashëm janë të gatshëm të dëshmojnë pro tij.
Ish-udhëheqësi i Inteligjencës në UÇK, që viteve të fundit në liri ishte kryeparlamentar i Kosovës, Kadri Veseli ishte prezent në sallë edhe sot, por nuk u deklarua.
Në emër të mbrojtjes, akuzave të Prokurorisë iu kundërpërgjigj avokati Ben Emmerson.
Ai u fokusua t’i tregojë Prokurorisë akuzat, sipas tij, të pabazë që s’ndërlidëshin fare me klientin e tij.
Emmerson tregoi disa prej rasteve ku Veseli akuzohet, por, siç thotë avokati, ai as nuk ka qenë prezent as nuk ka ndërlidhje me të. Përmendi komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, që Emmerson thotë se as nuk i ka shkruar as nuk i ka shtyrë Veseli dhe po ashtu disa qendra të ndalimit në zona të ndryshme operative, si ajo e Jabllanicës në Dukagjin, që avokati thotë se nuk kishte qenë, as s’kishte të bënte me to Veseli.
Veseli me bashkëluftëtarë akuzohet nga Prokuroria edhe për ndalim dhe keqtrajtim të aktvistëve të LDK-së, dhe, për këtë u përgjigj sot avokati britanik.
“Ky është një mendim krejt i ndryshëm nga ajo që ka ndodhur në terren, ku shumica e mbështetësve të UÇK-së ishin në fakt anëtarë të LDK-së. Tani, konflikte, dallime në mendime ka pasur, si në çdo rast kur bashkohen dy forca politike. Por asnjëherë nuk ka pasur një politikë përndjekjeje ndaj LDK-së”, tha Emmerson.
Ndryshe Avokati Emmerson, gjatë elaborimeve që bëri tha se disa individë e kishin rritur rolin e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për qëllime politke ose siç tha ai për tema të ditës.
Më pas foli ish-Inspektori i UÇK-së, Rexhep Selimi. Fjalën e nisi me rrëfimin e tij si student i Universitetit të Prishtinës, për të dalë të ngjarjet që rodhën gjatën gjithë viteve të ‘90-ta.
Prokuroria në nisjen e gjykimit, për t’i mbështetur akuzat e saj, ka publikuar disa sekuenca të ndryshme të deklarimeve të Selimit, edhe sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kundër kundështarit të tij politik, Thaçit.
Sot, Selimi tha se nuk duhet t’i përdorën si prova juridike dallimet politike që kishin të akuzuarit.
“Gjithmonë kam thënë dhe e përsëris. Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Dallimet dhe opinionet mes nesh nuk duhet të përdorën si fakte juridike, e po ashtu kundër neve të bashkakuzuarve. Kam shumë besim se të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së se jemi të pafajshëm. Unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi”, tha Selimi.
Seanca u mbyll me fjalën e mbrojtjes së Selimit, ndërkaq nesër flet mbrojtja e ish-Zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, që ishte sot në sallë. Ndonëse nuk foli, ne mediat kosovare patën vëmendjen reagimet e tij, i cili, në një moment qau kur po shihte pamjet e krimeve ndaj shqiptarëve në Kosovë, që i kishte lëshuar një prej ekipeve të mbrojtjes. /Express/