Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë ku ka mohuar akuzat e Listës Serbe se zyrtarët policorë kanë shqetësuar një grua serbe.
Përmes këtij njoftimi, policia ka thënë se gruaja ka ardhur me gjasë me qëllim pranë, vetëm sa për të bërë videon, ndërsa zyrtarët policorë kosovarë me mirësjellje i kanë orientuar te organet kompetente.
“Përgjatë realizimit të pikës së kontrollit, diku rreth orës 21:45 afër njësisë policore ka shkuar një femër (grua) me një fëmijë në dorë, bazuar në gjuhën e folur, mund t’i përket komunitetit serb, e cila iu ka adresuar zyrtarëve policorë me pyetjet se pse po mbani pika kontrolli, pse po i ndaloni veturat, pse po na shqetësoni, kinse edhe burri i saj ka ardhur i shqetësuar në shtëpi kur ka kaluar me automjet këndej pari pranë patrullës policore etj. Zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit pa dallim dhe se nuk ka asnjë ankesë ndaj punës, prezencës apo sjelljes së zyrtarëve policorë dhe se nëse ju keni ndonjë ankesë për sjelljen e zyrtarëve mund të adresoni ankesë në stacion policor apo edhe te institucionet kompetente”, shkruan në komunikatë.
Tutje, thuhet se në raportet zyrtare, vërtetohet që Policia e Kosovës përmes sjelljes profesionale vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve.
“Andaj, bazuar në raportet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës përmes sjelljes profesionale vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.