Burri në Istog grushton e shqelmon gruan e tij, i kërkon të largohet nga shtëpia bashkë me të birin 9-muajsh

Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të dhunës, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift nga Istogu, pasi gruaja 27-vjeçare e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunën fizike e psikike që ka ushtruar ndaj saj.

Sinjali mëson se viktima ka raportuar se burri i saj L.B., pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar atë fizikisht me grushte e shqelma, duke i shkaktuar frikë e shqetësim, për çka u detyrua të kërkojë ndihmën e Policisë.

Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari i ka kërkuar viktimës që të largohet nga shtëpia bashkë me të birin e saj 9-muajsh.

Ajo çka e bën edhe më shqetësues këtë rast është se viktima edhe më parë ka pasur probleme me bashkëshortin e saj, me të cilin janë martuar që disa vjet.