Pritjes së madhe i erdhi fund, Ballkani ditën e martë do të zhvillojë raundin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve ndaj kampionit të Lituanisë, Zalgiris.
“Xhebrailat” do të synojnë që të marrin rezultat pozitiv në “Fadil Vokrri” me shpresën e avancimit tutje edhe pse përball i pret një kundërshtar jo i lehtë.
Pas disa stërvitjeve radhazi, djemtë e Ilir Dajës janë më të gatshëm se kurrë që të kërkojnë sonte fitore në kryeqytet.
Forma e dy skuadrave në pesë takimet e fundit:
Nëse shohim statistikat për pesë ndeshjet e fundit, skuadra nga Lituania qëndron më mirë se kampioni i Kosovës.
Zalgaris ka regjistruar një humbje dhe katër fitore radhazi, derisa Ballkani ka dy humbje dhe tre fitore.
Mirëpo, statistika e veçantë e tyre është se në 20 ndeshjet e fundit kanë pësuar vetëm një humbje, gjë për të cilën lojtarët tanë duhet të jenë shumë të kujdesshëm.
Zalgiris e plotë ndaj Ballkanit, Ilir Daja pa dy lojtarë kyç
Nëse flasim për mungesat, atëherë skuadra mysafire ka edhe një tjetër përparësi sepse të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm të luajnë nga minuta e parë.
Në fakt edhe mesfushori Oliver Buff që u duk se pësoi lëndim në miqësoren e fundit ndaj Hegelmann, tani raportohet se do të jetë gati dhe me shumë gjasë edhe titullar.
Ndërkohë, trajneri Ilir Daja do të jetë pa Rrustëm Hoxhën dhe Kushtrim Gashin.
Hoxha ka këputur ligamentin dhe është operuar para disa ditëve, derisa siç raportuam ditën e diele, Gashi është larguar nga grumbullimi pasi Daja e njoftoi se nuk do të luajë nga minuta e parë.
Formacioni i mundshëm i Zalgiris
E përditshmja “Sportsmole” ka dhënë disa detaje edhe si do të duket formacioni i mundshëm i Zalgiris në sfidën e sotme.
Sipas tyre, 11-shja titullare do të jetë kjo: Gertmonas, Pavelić, Mikoliūnas, Ljubisavljev, Mamić, Gorobsov, Buff, Ourega, Tadic, Jarusevicius, Renan.
Për dallim nga ta, Ilir Daja konfirmoi se do të ketë ndryshime në formacion, mirëpo nuk pranoi të jep asnjë detaj tjetër në konferencën e fundit për shtyp.
Për fund, kujtojmë se përballja mes Ballkanit dhe Zalgiris do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.