Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i konsideruar hero nga bashkatdhetarët për udhëheqjen e kryengritjes së viteve 1998-99 kundër sundimit serb që çoi në pavarësi, do të dalë në gjyq të hënën për krime të dyshuara lufte gjatë konfliktit.
Kështu nis raportimin i agjencisë borërore të lajmeve “Reuters” për procesin e gjyqësor për Thaçin dhe të tjerët, raporton Express.
Reuters raporton edhe për sfondin e kësaj ngjarje, si dhe për atë si po shihet në Kosovë kjo ngjarje dhe reagimi i popullit ndaj saj.
Një gjykatë speciale e Kosovës e ngritur në Hagë e paditi Thaçin në nëntor të vitit 2020 për 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë persekutimin, vrasjen, torturën dhe zhdukjen me forcë të njerëzve ndër të tjera gjatë kryengritjes.
Thaçi, 54 vjeç, dha dorëheqjen si president menjëherë pas kësaj dhe u transferua në paraburgim në Hagë. Tre nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke përfshirë dy ish-kryetarë të parlamentit, përballen me të njëjtat akuza si ish-guerrilasit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vazhdon raportimi i Reuters.
Të katër ata akuzohen për pjesëmarrje në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale … që kreu sulme të përhapura ose sistematike” ndaj civilëve të pakicës serbe në Kosovë, si dhe kundër kundërshtarëve shqiptarë të UÇK-së.
Ndërsa luftimet u zvogëluan dhe forcat serbe u tërhoqën nën bombardimet e NATO-s nga Kosova, Thaçi e shkëmbeu uniformën e tij të gjelbër për një kostum blu dhe kravatë. Kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, ai ishte kryeministër dhe në vitin 2016 u bë president.
Përpara gjyqit, në të gjithë vendin e vogël ballkanik mund të shihen tabela që shfaqnin fotot e Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli me mbishkrimin “Heronjtë e Luftës dhe Paqes”.
Reuters raporton se veteranët e luftës dhe grupet e tjera nacionaliste të Kosovës paralajmëruan një protestë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së për të dielën.
Varre masive
Olgica Bozaniq, një serbe e Kosovës, shpreson se gjyqi do të jetë një mundësi për ta marrë vesh se çfarë ndodhi me dy vëllezërit, Todor dhe Lazar Kostiq, eshtrat e të cilëve u gjetën në një varr masiv në një fshat të Kosovës perëndimore në vitin 2005 – i cili përfshihet në aktakuzë.
“Nga rrëfimet e dëshmitarëve, ne e dimë se ata u morën nga shtëpia e tyre së bashku me të gjithë burrat nga fshati më 17 korrik 1998 dhe se ata u torturuan”, tha Bozaniq për Reuters.
“Por ne nuk e dimë se kur dhe si saktësisht u vranë. Ndoshta gjatë gjyqit do të marrim disa prova të reja që tregojnë detajet”.
Vëllezërit Kostiq ishin në një grup më të madh serbësh të arrestuar në korrik të atij viti dhe më vonë të vrarë në buzë të një shkëmbi dhe një xhip ushtrie u vendos mbi ta për të fshehur eshtrat e tyre, tha një hetues që foli në kushte anonimiteti.
Por, në vitin 2005 një ekip ekspertësh mjeko-ligjorë të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara zbuluan varrin masiv.
Së bashku me dy vëllezërit e saj, 15 nga kushërinjtë e Bozaniqit u arrestuan dhe më vonë u vranë nga UÇK-ja, tha ajo.
“Unë pres që të gjithë ata që janë përgjegjës për vrasjet të dënohen në mënyrë që të mos vrasin dhe torturojnë përsëri”.
Dhoma e Specializuar e Kosovës, me seli në Holandë dhe me staf nga gjyqtarë dhe avokatë ndërkombëtarë, u krijua në vitin 2015 për të trajtuar rastet sipas ligjit të Kosovës kundër ish-guerrilasve të UÇK-së.
Shumë shqiptarë të Kosovës besojnë se gjykata është e njëanshme kundër UÇK-së dhe e interesuar të denigrojë të dhënat e saj.
Por Ehat Miftaraj nga Instituti joqeveritar i Kosovës për Drejtësi tha se gjykimi duhet të kuptohet si një rast “kundër disa individëve të UÇK-së dhe jo një gjyq kundër UÇK-së apo vlerave që përfaqëson populli i Kosovës”.
Gjykata u krijua veçmas nga ish-tribunali i OKB-së për ish-Jugosllavinë, e cila ndodhej gjithashtu në Hagë, ku gjykoi dhe dënoi kryesisht zyrtarë serbë për krime lufte të kryera në konfliktet e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës.
Më shumë se 13,000 njerëz, shumica e tyre shqiptarë etnikë të Kosovës, besohet se kanë vdekur gjatë kryengritjes së viteve 1998-99, kur ajo ishte ende një provincë e Serbisë nën presidentin e atëhershëm Slobodan Millosheviq, vazhdon raportimi i Reuters.
Millosheviq doli në gjyq para një gjykate të veçantë të OKB-së në Hagë për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë konfliktit, por ai vdiq në vitin 2006 përpara se të merrej një vendim.
Disa zyrtarë të lartë serbë duke përfshirë shefin e atëhershëm të ushtrisë Nebojsha Pavkoviq dhe zëvendëskryeministrin Nikola Sainoviq u dënuan me burgime të gjata për krime lufte në Kosovë.
Luftimet përfunduan pasi sulmet ajrore të NATO-s mbi forcat serbe dhe Kosova shpalli pavarësinë një dekadë më vonë, megjithëse Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e shtetësisë së saj.
Kosova ka miratuar legjislacionin për të paguar avokatët – kosovarë dhe të huaj – për mbrojtjen e Thaçit dhe kolegëve të tij dhe 16 milionë euro deri më tani kanë shkuar në fondin e tyre të mbrojtjes.
Gregory Kehoe, një avokat amerikan në ekipin mbrojtës të Thaçit, tha se prokurorëve do t’u jepen dy vjet kohë për të përfunduar paraqitjen e provave.
“Ky njeri sakrifikoi gjatë gjithë këtyre viteve dhe shpresojmë se ne do të jemi në gjendje ta nxjerrim atë në sallën e gjyqit dhe të tregojmë se ai ishte një njeri i ndershëm, i sinqertë dhe të sjellim lirimin e tij”, i tha ai Reuters.