Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi edhe një grua nga fshati Lukinje e Prizrenit, e cila ka deklaruar se është viktimë e dhunës së shkaktuar nga partneri i saj.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se 32-vjeçarja ka deklaruar se bashkëshorti i saj i cili punon dhe vepron në Beograd, e ka kërcënuar përmes telefonit.
Bazuar në dëshminë e saj, 30-vjeçari i ka kërkuar që të largohet nga shtëpia e tyre, në të kundërtën do ta vrasë me armë. Ajo që e ka shqetësuar edhe më shumë viktimën, është fakti që sipas saj, i dyshuari posedon armë zjarri të cilën e mban në shtëpinë e përbashkët.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me fishekë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar për veprat ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit për intervistim.