Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të mblidhet të enjten për të vendosur lidhur me tarifat e reja të energjisë elektrike. Sipas të gjitha gjasave, ato do të jenë më të shtrenjta për 15 përqind. Këto tarifa do të jenë në fuqi deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm.
Nga 1 prilli, kosovarët do të duhet të paguajnë më shtrenjtë për energjinë elektrike. Me këtë date hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë, të cilat do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024.
Vendimi përfundimtar do të merret të enjten. Petrit Pepaj nga Zyra e Rregullatorit për Energji e ka konfirmuar për Gazetën Express se Bordi do të mblidhet më 30 mars.
Sipas Pepajt, tarifat pritet të shtrenjtohen për rreth 15 përqind.
“Zyra e Rregullatorit për Energji, ne përputhje me te Hyrat e Lejuara Maksimale për të Licencuarit, ka pranuar aplikimet e të Licencuarve ne lidhje me tarifat për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit, Operimin e Sistemit dhe Operimin e Tregut (OST/OT), tarifave për Shfrytëzimin e Rrjetit të Shpërndarjes (OSSh) dhe tarifat me pakicë për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU) për vitin relevant tarifor 2023. Siç është deklaruar nga ZRRE-ja edhe me herët, pritet që rritja e tarifave të jetë rreth 15%. Me datë 30 mars 2023, do të mbahet mbledhja e Bordit të ZRRE-së”, thuhet në përgjigjen e Pepajt.
Në komentet që kishte dorëzuar në ZRRE, Zyra e Presidentes Vjosa Osmani kishte rekomanduar që të mos ketë rritje të tarifave. Arsyetim për këtë e kishte dhënë normën e lartë të inflacionit.
Për të mbuluar kostot shtesë që kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar, Presidenca kishte përmendur mundësinë që ato të mbulohen përmes subvencionimit.
“… ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar”, thuhet në komentet e ZPRK’së.
Për këtë, Presidenca kishte thënë se do të mund të kontribuonte edhe pakoja 75 milionëshe e BE’së.
“Në këtë drejtim do të mund të kontribuonte edhe pakoja e Mbështetjes për Energji e BE-së për Kosovën përmes së cilës janë siguruar 75 milionë euro për të ndihmuar me përballjen me krizën energjetike. Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, 25 milionë euro do të shkojnë për subvencionimin e faturave të energjisë dhe metodave të ngrohjes alternative, si druri dhe peleti.
Andaj, ZPRK-ja, rekomandon që përpara marrjes së një vendimi final, të shqyrtohet seriozisht mundësia e subvencionimit, duke shmangur nevojën për një vendim të ri të ZRRE-së, i cili do të rezultonte me rritje të sërishme të tarifave në vendin tonë”, thuhet në komentet e Presidencës.
Komente kishte dorëzuar edhe Zyra e Kryeministrit. Në komentet e dërguara, ZKM’ja sugjeronte që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara dhe që mbulimi i hendekut të bëhet duke përshtatur tarifat për bizneset, sidomos ato të mëdha.
“Mbulimi i hendekut për HLM për 2023 të bëhet kryesisht nga bizneset: Në shqyrtimin e ndodhur vitin e kaluar, përkundër propozimeve nga MFPT por edhe nga palë tjera siç është Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ZRRE la të pandryshuara tarifat për bizneset, duke ndryshuar vetëm tarifat për amvisëritë me shtimin e bllokut të ri tarifor për konsumin mbi 800 kËh. Nisur nga kjo situatë, për vitin 2023, sugjerojmë që tarifat për amvisëritë do të mbeten të pandryshuara, ndërsa mbulimi i hendekut të bëhet (në masë të madhe) duke përshtatur tarifat për bizneset, dhe sidomos bizneset e mëdha. Një përshtatje e tillë për bizneset e mëdha mund të shihet edhe në kontekstin e hapjes së tregut, ku tarifat e rregulluara do duhej që gradualisht të konvergjonin me tarifat që aktualisht janë në treg të hapur”, thuhet në komentet e dërguara nga ZKM.
Ndryshe, tarifat që aktualisht janë në fuqi ishin miratuar më 8 shkurt të vitit të kaluar.
Me këto tarifa, shtrenjtim të faturave kanë pasur ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.
Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë kanë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.
Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë është 7 centë, ndërsa ajo e ulët, 3 centë./Gazeta Express