Partia Socialdemokrate do të mbajë të shtunën [sot] protestë kundër marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Ohër më 18 mars. Në këtë protestë do të kërkohet edhe dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Protesta është planifikuar të nisë në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku edhe do të mbahen fjalimet.
PSD-ja, që është parti joparlamentare, vlerëson se kryeministri Kurti s’ka legjitimitet, prandaj duhet të dorëhiqet.
“Rrenat që pushteti i përdorte për ta arsyetuar marrëveshjen i patën këmbët e shkurtra. Propaganda nuk iu eci. Revolta e madhe qytetare është dëshmia për këtë. Tashmë, 1 javë pas dakordimit në Ohër, po e kuptojmë qartë se çka lë të kuptojë Plani Evropian dhe Aneksi i Zbatimit. Në njërën anë, marrëveshja normalizon mosnjohjen në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe, me vullnetin politik të Kurtit, Kosova heq dorë nga kërkesa për njohje. Në anën tjetër, Kosova, me vullnetin politik të Kurtit, merr përsipër të krijojë Asociacion njëetnik me autonomi substanciale si formë e pushtetit paralel përballë pushtetit qendror. Marrëveshja është jashtëzakonisht e dëmshme. Prandaj rezistenca duhet të jetë e përbashkët e masive. Nesër, me 25 mars, protestojmë duke kërkuar dorëheqjen e Kurtit. Ky kryeministër nuk ka legjitimitet të nënshkruajë marrëveshje të tillë”, thuhet në deklaratën e PSD-së.
Protesta gjatë kësaj jave ka pasur edhe në Serbi ku protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e presidentit serb, aleksandër Vuçiq.
Mbështetësit e opozitës së djathtë, që shpesh janë akuzuar për qëndrime ekstremiste, bllokuan rrugët para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, duke kërkuar dorëheqjen e Vuçiqit.
Ata në këtë protestë mbanin pankarta me shprehjet si “Serbia Kujton’”, ‘’Vuçiq jep dorëheqje’’, ‘’Jo kapitullimit dhe ‘’Kurrë NATO’’.
Presidenti i lëvizjes Dveri, në Serbi, Boshko Obradoviq, tha se kjo është vetëm si një fillim paralajmërimi për protestat që do të mbahen në vijim, në kërkim të dorëheqjes së Vuçiq-it.
“Ideja është që kjo të jetë fillimi i protestave paralajmëruese që do të mbahen në periudhën e ardhshme”- u shpreh lideri i Dveri.