ZRRE-ja me propozimin paraprak, që çmimi i energjisë të rritet prej 14 për qind në tarifat e reja që pritet të fuqizohen më 1 prill, ka “hapur derën” për kërkesa të tjera për të ngritur çmimet në zingjirin e subjekteve që përbëjnë sistemin elektroenergjetik rë vendit. Tashmë edhe KEK-u ka kërkuar që çmimi i energjisë që ajo ia shet KEDS-it të rritet për tri euro për një megavat. Nga 29.5 euro sa është aktualisht, në komentet që ka dorëzuar në ZRRE, në kuadër të procesit tarifor, ka kërkuar që çmimi të jetë 32.4 euro për një megavat.
Buletini Ekonomik
Tani, pas disa kërkesave të KEDS-KESCO-s për ngritjen e sërishme të çmimit të energjisë elektrike dhe miratimit paraprak pa asnjë justifikim edhe të kërkesës së fundit nga ZRRE-ja, dhe paralajmërimit se deri në fund të këtij muaji t’i caktojë tarifat e reja të energjisë elektrike, që do të hyjnë në fuqi më 1 prill 2023, janë shpërfaqë pretendime të tjera për ngritje çmimesh në sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Tani ka bërë publike pretendimet për ngritje çmimi të produktit të tyre edhe KEK-u, që do të rritet çmimi i megavatit që ajo shet për KEDS-in dhe KOSTT-in
Më konkretisht, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka kërkuar nga ZRRE që çmimi i energjisë që ajo ia shet KEDS-it të rritet për tri euro për një megavat. Nga 29.5 euro sa është aktualisht, në komentet që ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji, në kuadër të procesit tarifor, ka kërkuar që çmimi të jetë 32.4 euro për një megavat.
Sipas shumë zyrtarëve të KEK-ut, çmimet aktuale nuk mbulojnë koston mesatare të prodhimit të energjisë nga termocentralet, duke përfshirë edhe koston e eksploatimit të thëngjillit për prodhim të energjisë. Ata këtu përmendin edhe kostot e larta të riparimeve dhe remonteve të rregullta dhe të atyre të paplanifikuara, që në termocentralet e stërvjetruara të vendit (Kosova A, blloku i parë i saj ka nisë punën që më 1962, ndërsa Kosova B në vitet e 80-ta) kushtëzohen të jenë të shpeshta dhe të kushtueshme.
“Vlen të theksohet se përkundër faktit që çmimet e furnizimit kanë pësuar rritje drastike në treg, çmimet e energjisë elektrike të Korporatës Energjetike të Kosovës nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim nga viti 2019, duke e rritur ekspozimin e Korporatës për të operuar me humbje”, thuhet në komentet e KEK-ut.
KEK-u ka kërkuar që çmimi për mbulimin e humbjeve në shpërndarje dhe për humbjet në transmetim të jetë 39.54 euro për megavat. Aty, po ashtu, thuhet se nga tetori i vitit 2021 e deri në fund të vitit 2023, me tarifat aktuale kostoja shtesë e pambuluar në tarifat e KEK-ut arrin shifrën rreth 10.1 milionë euro.
“Prandaj KEK-u kërkon nga bordi i ZRRE-së, që kostot e mësipërme dhe kostot shtesë nëse do të ketë, të njëjtat të reflektohen edhe te kostot e blerjes së energjisë vendore me anë të të cilave KEK-u do të mund ta kompensojë diferencën e kostos shtesë në çmimin e energjisë elektrike me shumicë”, thuhet në komentet e KEK-ut adresuar në ZRRE.
Siç bëjnë me dije në KEK, marrëveshja aktuale për çmimet me palët KEDS, KESCO dhe KOSTT skadon më 31 mars 2023 dhe çmimet aktuale nuk mbulojnë koston e prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet, duke përfshirë edhe koston e eksploatimit të thëngjillit për qëllim të prodhimit të energjisë elektrike, ku kostoja mesatare e vlerësuar për vitin 2022, sipas draft-pasqyrave financiare, ishte 31.25 euro për megavat.
“Andaj për periudhën e ardhshme, duke filluar nga 1 prilli 2023, KEK-u kërkon nga palët që të reflektojnë koston mesatare të prodhimit të energjisë elektrike, si dhe mbulimin e kostove shtesë që barten nga rritja e tarifave të KOSTT-it”, thuhet në komente.
Rritje të kostos ka kërkuar edhe KOSTT-i. Kjo ndërmarrje vazhdimisht ka deklaruar se ka pasur humbje mbi 10 milionë euro. Sido që të jetë, ZRRE-ja me propozimin paraprak, që çmimi i energjisë të rritet prej 14 për qind në tarifat e reja që pritet të fuqizohen më 1 prill, ka “hapur derën” për kërkesa të tjera për të ngritur çmimet në zingjirin e subjekteve që përbëjnë sistemin elektroenergjetik.
Pranimi paraprak i ngritjes së çmimit të distributorit nga ana e ZRRE-së, pa ndonjë arsyetim bindës dhe pa justifikim të qëndrueshëm për ngritjen e re të çmimit të rrymës, është pritur në njëfarë mënyre, që do të nxisë kërkesat e reja, ato të KEK-ut dhe të KOSTT-it për të ngritur edhe ata çmimet. ZRRE-ja, me vetëdije, ose pa të po e favorizon KEDS-in, distributorin e vetëm në vend të energjisë elektrike, duke ia pranuar pa shoshitur edhe aq faktet për çmime të reja të tregtimit të rrymës së prodhuar nga termocentralet e vendit. Prandaj, edhe subjektet e tjera (KEK-u dhe KOSTT-i) pretendojnë të favorizohen nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Këto të fundit, kërkesat e tyre, gjithsesi, kanë fakte më të qëndrueshme dhe më bindëse për çmime të reja të ngritura. Megjithatë, mbetet të shihet se çka do të vendosë ZRRE-ja.