Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka informuar se gjatë pesë ditëve të ardhshme do të mbajë mot i ndryshueshëm.
Sipas parashikimeve, të hënën do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.
“Në mëngjes parashihen ngrica të dobëta, ndërsa në ultësira paraqiten kushte për mjegull”, ka informuar IHMK.
Të martën parashihet që moti të jetë me vranësira të shpërndara dhe i nxehtë. “Temperaturat minimale mbeten rreth zeros, ndërsa maksimalet parashihen të jenë mbi vlerat e mesatareve”, është bërë e ditur në njoftim.
Ditën e mërkurë, sipas parashikimeve do të mbretërojë mot i vranët dhe me reshje shiu. Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të shënojnë vlera pozitive, ndërsa maksimalet e ditës do të shënojnë ulje në krahasim me ditën e martë.
Ndërsa, të enjten do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i freskët. Sipas parashikimeve, temperaturat do të shënojnë ulje, por nuk parashihet të ketë temperatura minus.
Ndërkaq, ditën e premte parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas parashikimeve, temperaturat minimale do të lëvizin rreth zeros, ndërsa maksimalet parashihen të shënojnë ngritje të lehta.
“Gjatë këtyre pesë ditëve parashihet të fryjë erë kryesisht nga jugu dhe verilindja me shpejtësi 1-7 m/s. Sasitë e reshjeve të fundit ishin nga 4 deri 70 l/m2 në rrafshin e Dukagjinit, derisa të njëjtat në rrafshin e Kosovës kanë variuar nga 5 deri 43 l/m2”, ka bërë të ditur IHMK.