Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë vajzat dhe gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona që shpeshherë dalin të jenë edhe ish-partnerët e tyre. Një rast i ka ndodhur së fundmi në një banesë në Prishtinë, ku një vajzë arriti të shpëtojë mrekullisht nga ish i dashuri që dyshohet se tentoi ta dhunojë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti dyshohet të ketë ndodhur të premten në mbrëmje, në një banesë në lagjen Ulpiana në Prishtinë, ku viktimë ishte një 26-vjeçare, që u përballë me ish të dashurin e saj 24-vjeçar.
Sinjali mëson se rasti u zbulua pasi vajza kishte kërkuar ndihmë mjekësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe më pas u njoftua edhe Policia.
Viktima, fillimisht nuk pranoi që të deklarohet lidhur me atë që kishte ndodhur, por më pas vendosi të rrëfejë se si i ish i dashuri i saj i shkoi në banesë, ku dyshohet se tentoi që ta dhunojë seksualisht.
Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari fillimisht kishte tentuar që ta prekë dhe pa dëshirën e saj të kryenin marrëdhënie seksuale. Kjo situatë e alarmoi vajzën, e cila arriti që të rezistojë dhe shpëtoi nga ish i dashuri.
Pas marrjes së informacioneve të para, me urdhër të Prokurorit të Shtetit nisën menjëherë hetimet, me ç’rast i dyshuari u identifikua dhe u arrestua. I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Me t’u përfunduar procedurat e nevojshme, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, teksa veprimet e tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.