Në seancën e së premtes, prokurorja Sahide Gashi, ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, në rastin ku për vrasje të rëndë më 13 plumba po akuzohet mësuesi Xhevdet Januzaj, me arsyetimin se gjykata po vepron një njëanshëm.
Këtë kërkesë kishte prokurorja Gashi, me arsyetimin se gjykata është e njëanshme që nga seanca e fundit ku janë dëgjuan ekspertët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht prokurorja Gashi, tha se që nga 8 marsi i 2023, kur kanë filluar të dëgjohen ekspertët, dhe ai i balistikës Ilir Kukaj, anëtarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, e ka sulmuar kompetencën dhe ka vë në dyshim ekspertizën e të njëjtit.Sipas saj, kjo njëanshmëri ka filluar me marrjen në pyetje të ekspertit të psikiatërisë forenzike Jeton Zogaj, nga gjyqtarja në fjalë, por edhe nga kryetari i trupit gjykues.
“Prokuroria konsideron se në mënyrë të pa pranueshme kërkojnë nga i njëjti që të jap përgjigje ndryshe nga konstatimet në raportin e ekspertizës, ndryshe nga raporti i ekspertizës, kundër insistimit të të njëjtit që i përmbahet raportit në fjalë dhe duke insistuar të njëjtit që të marrin një përgjigje që e vë në dyshim dhe apo haptazi, preudikojnë dhe paragjykojnë vendimin përfundimtarë, në vend të pyetjeve sqaruese nga raporti dhe vlerësimit të atij raporti në relacion me prova tjera me rastin e marrjes së vendimit”, tha prokurorja Gashi.
Sipas saj, edhe me rastin e marrjes në pyetje të ekspertit mjeko ligjor, anëtarja e trupit gjykues në fjalë, në mënyrë të papranueshme kishte vënë në mëdyshje punën e prokurorit të shtetit, duke e nxitur në këtë mënyrë dyshimin në punën profesionale të prokurorisë së shtetit para palëve për prova apo rrethana trijale të cilat nuk janë as objekt shqyrtimi.
“Gjatë përgatitjes së pyetjeve për të pandehurin prokuroria për më tepër e ka vërejtur se avokati mbrojtës i të pandehurit fillimisht ka qenë avokati Sali Mekaj, që përndryshe është i afërt i anëtares së trupit gjykues Kuka-Mekaj. Prokuroria në këto rrethana dyshon tërësisht në objektivitetin dhe paanshmërinë e trupit gjykues për ta gjykuar këtë rast më tej, andaj kërkoj përjashtimin e këtij trupi gjykues dhe kryetari i kësaj gjykate i kërkojë caktimin e një turpi tjetër gjykues”, tha prokurorja Gashi.
Lidhur me këtë kërkesë, anëtarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, me lejen e kryetarit të trupit gjykues Murat Hulaj, tha se trupi gjykues siç jap edhe kompetencë ligji ka obligim ligjor që të vlerësoj çdo provë dhe çdo rrethanë që lidhet me çështjen për të ardhë deri tek e vërteta.
Sipas gjyqtares Kuka-Mekaj, prokurorja në këtë rast nuk i ka konvenuar parashtrimi i pyetjeve nga ana e trupit gjykues, që është ndalesë në etiken profesionale të ndërhynë në parashtrim të pyetjeve nga ana e trupit gjykues, pavarësisht i konvenon apo si konvenon asaj.
“Sa i përket paanshmërisë do ta vlerësoj kryetari i kësaj gjykate në raport me deklaratat dhe proceset e zhvilluara me këtë trup. Në raport me pyetjet e parashtruara për ekspertët në fjalë tek të gjithë ekspertet gjykata ka për obligim ligjor të kërkoj nëse është përpiluar ekspertiza konform dispozitave ligjore.
Në rastin konkret gjykata në bazë të deklaratës së ekspertit dhe përshkrimit në ekspertizë siç është bërë një raport i balistikes i veçantë, i ndare nga ekspertiza e balistikës për armë, është pyetur se a kanë në kompetencë ligjore të bëjnë një raport të tillë për të interpretuar video-incizimin përkatësisht skena apo sekuencat e ndara e që e fut ketë kompetencë së lamisë se draseologjisë”, tha gjyqtarja Kuka-Mekaj.
Për më tej lidhur me raportin me ekspertin e psikatërise Jeton Zogaj, ajo tha se ai si psikiatër që kanë dhënë një mendim të përbashkët, gjykata ka obligim ligjor të vërtetoj po ashtu se a është nxjerrë ajo ekspertizë konform dispozitave ligjore siç janë parashtruar pyetjet e cekura në procesverbal, dhe ka obligim ligjor më pas të vlerësoj nëse në ekspertizë është dhënë mendimi ashtu siç e përcakton ligji.
Ndërsa, sa i përket kërkesës për përjashtim nën arsyet së Sali Mekaj, kishte qenë avokat në një procedurë paraprakë, gjyqtarja tha se nuk ishte në dijeni dhe se tani e kuptoi, po kjo gjë nuk shfaq aspak problem sipas saj, lidhjet e gjakut janë të largëta dhe nuk e pengojnë rrjedhën e procedurës apo përjashtimin obligativ.
Pas kësaj, trupi gjykues me kryetarin Murat Hulaj, mori vendim që seanca të ndërpritet dhe lidhur më kërkesën për përjashtim do të vendos kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha.Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 14 shkurt 2022, e ngarkon të pandehurin Xhevdet Januzaj se më 18 maj 2021, në Pejë, në tarracën e restorantit “Te Zhara”, me paramendim e ka provokuar sulmin dhe ka privuar nga jeta të ndjerin G.K, nga hakmarrja e paskrupullt.
Kjo hakmarrje sipas prokurorisë kishte filluar pasi djali i të ndjerit më 29 dhjetor 2019, e kishte sulmuar fizikisht të pandehurin në vendin e tij të punës, pasi i pandehuri kishte sulmuar seksualisht motrën e tij minore dhe për më tepër ishte shpallur fajtor dhe gjykuar me dënim burgimi prej 3 vite e gjysëm nga Gjykata e Pejës.Sipas prokurorisë, pasi i pandehuri ishte lënë nga Gjykata e Pejës të mbrohet në liri, ishte pajisur me armë të tipit ‘’Rex Zero1CP”, që e kishte për shenjtëri, i cili më pas kishte vëzhguar lëvizjet e të ndjerit dhe familjarëve të tij në afërsi të banesës së tyre.
Më tej në aktin akuzues thuhet se, i ndjeri ishte njoftuar nga fqinjët e tij se kanë parë të pandehurin me sopat duke i pritur në lokalin “Relax”, për çka viktima G.K kishte lajmëruar dhe kërkuar mbrojtje nga policia por pa sukses.Sipas prokurorisë në ditën kritike i ndjeri e vëren të pandehurin ulur afër banesës së tij në tarracën e lokalit, hynë në brendësi të lokalit dhe pretë që i pandehuri të largohet, e kur kjo nuk ndodh, del dhe ulet në tavolinën e tij dhe pasi nxjerr pistoletën që kishte në xhepin e setrës me mbishkrim “Mauser”, ia drejton dhe kërkon nga i pandehuri që të largohet me fjalët “qu hec prej ktuhit”.
Mirëpo, sipas aktakuzës, i pandehuri nuk largohet dhe i ndjeri me armën e tij tenton që të shtie në të por arma e tij bllokohet dhe më pas i pandehuri nxjerr armën që kishte bërë gati nga çanta e krahut dhe qëllon mbi viktimën 13 herë, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke rrezikuar jetën e kamerierit i cili ishte afër viktimës.Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Vrasjes së rëndë”, nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 e 1.8 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi jo më pak se dhjetë 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
Aktakuza e ngarkon të pandehurin Januzaj edhe për shkak të veprës penale të përdorimit të armës.Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 par.2 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi prej 1 deri 8 vite burgim.