Arsyetimet dhe justifikimet për të rishtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike në Kosovë, thënë më së shkurti, janë të paqëndrueshme. Nuk qëndron dhe është thjesht kalkulim abuziv arsyetimi i ZRRE-së, se kjo rritje po bëhet për shkaqe se “çmimet e importit për energji ende mbesin të larta” dhe justifikimi i kërkesës për rritje të tarifave të energjisë elektrike me “pamundësinë e KEK-ut për të prodhuar rrymë të nevojshme”, sidomos gjatë sezonit të dimrit. Pse do të paguajnë kosovarët dyfish çmimin e synuar nga ZRRE-ja, po qe se nga 1 prilli do të fuqizohen çmimet e pretenduara?
Paralajmërimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) se sërish nga 1 prilli do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për 14 për qind, është joserioz, dhe duket të jetë bërë me nguti, pa analizuar shkaqet dhe pasojat dhe i ndikuar domosdo nga kërkesat e pandalura të distributorit për çmime të reja të ngritura. Ndërsa, arsyetimet dhe justifikimet për të rishtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike në Kosovë, thënë më së shkurti, janë të paqëndrueshme fare dhe të papranueshme si të tilla.
Nuk qëndron dhe është thjesht kalkulim abuziv arsyetimi i ZRRE-së, se kjo rritje po bëhet për shkaqe se “ende çmimet e importit për energji mbesin të larta”. Nuk qëndron as deklarata e Ymer Fejzullahut, kryetarit të Bordit të ZRRE-së, “se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për këtë shqyrtim të tarifave”. Është fare i paqëndrueshëm edhe justifikimi i kërkesës së KEDS-it për rritje të tarifave të energjisë elektrike me rritjen e çmimit të rrymës së importuar, si dhe me pamundësinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të prodhuar rrymë të nevojshme, sidomos gjatë sezonit të dimrit. Sepse, siç dihet, çmimet e rrymës së importuar (nevojë ndjeshëm më e vogël e Kosovës për të importuar rrymë gjatë pjesës më të madhe të vitit 2022 dhe në këta muaj të 2023-tës), janë ndjeshëm të ulura, madje edhe goxha lehtësisht të përballuara edhe nga Kosova e varfër.
Më saktësisht: Ka muaj që nuk është rritur fare çmimi i rrymës nga importi, madje ky çmim është ulur ndjeshëm, sidomos në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Derisa vjet në janar, shkurt, mars dhe edhe një periudhë mëpastaj, çmimet e rymës ishin stratosferike, madje thuaja se në tregjet ndërkombëtare nuk gjendej fare rrymë për të blerë nën çmimin prej 500 eurosh për një megavat, tani çmimet janë 5 herë dhe me shumë se kaq më të ulëta.
Energjia elektrike në tregjet ndërkombëtare, pra, po tregtohet me çmime ndjeshëm të zbritura, madje disa fish më të ulëta se në vitin që shkoi. Dhe, sipas të dhënave nga tregjet ndërkombëtare të energjisë elektrike, që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar dhe gjatë janarit, shkurtit dhe këtyre ditëve të marsit të këtij viti, çmimi i rrymës në bursën hungareze HUPX, nga ku importon Kosova, bie fjala, nuk e ka kaluar thuaja në asnjë ditë 200 euro për një megavat (vjet në raste kishte shkuar çmimi i një megavati edhe 500-600 euro). Por, në të shumtën deri tani kur po mbajnë temperatura më të ulëta, megavati në këtë bursë nga vera e vjetshme dhe deri tani, është tregtuar 100 euro, me raste edhe nën dhe mbi këtë çmim. Dje (9 mars 2023), kur në mbarë Europën po mbajnë temperatuara goxha të ulëta të motit, çmimi i një megavati në bursën hungareze HUPS ishte 131 euro, dje ishte 139 euro, gjatë ditës, ndërsa në kohën e pikut çmimi i një megavati dje ishte 140 euro.
Këto çmime janë përafërsisht dyfish më të ulëta se sa çmimi i energjisë në tregjet ndërkombëtare, i paraqitur nga ZRRE-ja si arsyetim i çmimit të lartë të rrymës nga importi. Duhet saktësuar dhe t’i bëhet e ditur ZRRE-së se edhe prodhimi “ i kontestuar” nga termocentralet e vendit dhe burimet e energjisë së rinovueshme është shumë imponues dhe më stabil se sa vitin e kaluar në këtë kohë, ndërsa nga Shqipëria me muaj të tërë vjet dhe sivjet deri më 2 mars të këtij viti ka ardhur një sasi relativisht e madhe e rrymës si kthim borxhi. Dhe në këtë mënyrë, në vazhdimësi në këta muaj janë plotësuar tërësisht nevojat e konsumatorëve me energjinë e prodhuar në kapacitetet elektrike vendore dhe me rrymën e ardhur nga Shqipëria, qoftë si kthim borxhi, qoftë si huazim, pa pasur nevoja për ndonjë import që ka ndikuar në ecuritë financiare të zingjirit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës. Shkurt, që nga vera e këtej, deri më sot, fare pak pati nevojë për import të energjisë elektrike, edhe me çmime ndjeshëm më të ulëta. Të gjitha këto të dhëna rreth importit janë të bëra publike shumë herë deri më tash nga institucionet e vendit dhe nga Buletini Ekonomik.
Sivjet KEK-u, termocentralet e tij, në sajë të freskimit më të detajuar teknik të blloqeve B 1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A4 të Kosova A, gjatë vitit të kaluar ka ndikuar shumë në punën e mirë dhe në prodhimin kontinuel dhe tashmë të standardizuar të këtyre kapaciteteve të stërvjetëruara realisht, duke arritur kuotat e planifikuara të prodhimit, madje edhe përtej tyre edhe gjatë këtyre ditëve të dimrit. Edhe këto të dhëna janë bërë publike një herë nga mediet e vendit, ndër to dhe nga Buletini Ekonomik. Duhet shtuar këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Por, sasisë standarde të energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut dhe në kapacitetet tona të energjisë së rinovueshme, në vazhdimësi me javë dhe muaj (rreth 900 megavatë-orë), duhet shtuar edhe megavatët e shumtë të energjisë elektrike që erdhi nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës, gjegjësisht që KESH po ia kthen borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar.
Zyrtarë të KEK-ut në vazhdimësi në muajt e fundit kanë njoftuar për Buletinin Ekonomik, se nga KESH-i, gjatë 24 orëve kanë ardhur, ose do të vijnë në KEK si kthim i borxhit diku rreth 180 deri në 230 megavat-orë energji elektrike, ose nga 1.500 deri në mbi 2.000 megavatë gjatë 24 orëve. Ka pasur ditë kur nga KESH-i, sistemi elektroenergjetik i Kosovës mori edhe 4 mijë megavatë-orë gjatë 24 orëve. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria iu ka ofruar KEDS-it.
Pretenduesit për çmime të reja të ngritura të rrymës duhet ta kenë parasysh se, në dhjetor të 2022-tës Kosova ka importuar 12.86% më pak rrymë dhe ka eksportuar 93,39% më shumë, krahasuar me dhjetorin e vitit 2021. Ose, sipas statistikave të publikuara nga ASK, gjatë muajit dhjetor të vitit 2022, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 802.66 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 539.66 GWh, përkatësisht 4.92% më i vogël, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Gjithsesi, e motivuar dhe e nxitur nga këto fakte dhe të tjera të shumta që flasin kundër favorizimeve të ZRRE-së për ngritje të reja të çmimit të rrymës, që po i bëhen në vazhdimësi subjekteve pretendente, këto ditë Zyra e Presidencës së Kosovës ka rekomanduar që të shmanget rritja e tarifave. Sipas Presidencës, ky vendim (vendimi për rritjen e re të çmimit të rrymës) mund të ketë ndikim socio-ekonomik dhe të bëhet barrë për qytetarët, veçanërisht për grupet e cenueshme, që në Kosovë, dihet janë numerikisht shumicë.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK-ja) shpreh shqetësimin për ndikimin eventual socio-ekonomik të një vendimi të tillë dhe për barrën që një vendim i tillë do t’i shkaktonte qytetarëve e në veçanti grupeve më të cenueshme të shoqërisë, si pensionistët, nënat vetushqyese, mbajtësit e skemave sociale dhe njerëzit dhe familjet e margjinalizuara”, thuhet në rekomandimin e Presidencës.
“ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar”, kanë vijuar komentet e ZPRK-së.
Komente për pretendimet e ZRRE-së për të ngritur çmimet e rrymës ka dorëzuar edhe Zyra e Kryeministrit (ZKM). Në komentet e dërguara, ZKM – ja sugjeron që tarifat për amvisërinë të mbeten të pandryshuara dhe që mbulimi i hendekut të bëhet duke përshtatur tarifat për bizneset, sidomos ato të mëdha.
“Mbulimi i hendekut për HLM për 2023 të bëhet kryesisht nga bizneset: Në shqyrtimin e ndodhur vitin e kaluar, përkundër propozimeve nga MFPT por edhe nga palë tjera siç është Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, ZRRE la të pandryshuara tarifat për bizneset, duke ndryshuar vetëm tarifat për amvisëritë me shtimin e bllokut të ri tarifor për konsumin mbi 800 kËh. Nisur nga kjo situatë, për vitin 2023, sugjerojmë që tarifat për amvisëritë do të mbeten të pandryshuara, ndërsa mbulimi i hendekut të bëhet (në masë të madhe) duke përshtatur tarifat për bizneset, dhe sidomos bizneset e mëdha. Një përshtatje e tillë për bizneset e mëdha mund të shihet edhe në kontekstin e hapjes së tregut, ku tarifat e rregulluara do duhej që gradualisht të konvergjonin me tarifat që aktualisht janë në treg të hapur”, thuhet në komentet e dërguara nga ZKM.
Sidoqoftë, nëse nuk vlerësohen nga ZRRE-ja kërkesat e Presidencës dhe të Qeverisë, si dhe të qytetarëve të shumtë, të deklaruar zëshëm kundër rritjes së çmimit të rrymës, edhe kësaj radhe i bie që çmimi i rrymës për konsumatorët-shumicë absolute të Kosovës, të ngritet, jo 14 për qind, sa ka paralajmëruar ZRRE-ja, por 28 për qind. Për shkakun se ZRRE-ja, kësaj radhe ka paraparë rritje të njëllojt të çmimit të rrymës si për konsumatorët shumicë, si për bizneset, 14 për qind. Dhe, nga përvoja e deritashme, dihet se bizneset ende pa u ardhur faktura për çmime të reja të rrymës, për aq përqind do të ngritin çmimet e produkteve, apo shërbimeve të tyre, të dedikuara për qytetarët e Kosovës.
Në këtë mënyrë, qytetari i Kosovës do të paguaj dyfish çmimin e propozuar, pikërisht siç ndodhi edhe në shkurtin e 2022-tës kur, praktikisht pati 2 çmime të ngritura. Sepse, vjet karahas çmimit të ngritur konkretisht, siç dihet, janë rikthyer edhe bllok-tarifat dhe kjo bëri që numri dërmues i konsumatorëve kosovarë ishte ai që paguajti dy herë çmimin e ngritur të rrymës. Një herë nga rritja e pritshme dhe e paralajmëruar nga KEDS-i dhe thuaja nga shumica absolute e institucioneve shtetërore vendimmarrëse dhe së dyti nga çmimi i ngritur, mbase edhe më shumë nga rivendosja e bllok-tarifave.
Ndërsa, krahas çmimit ekzistues të ngritur në përqindje jo të vogël në shkurt të vitit të kaluar, nuk duhet të mos përfillen edhe shumat e mëdha të parave që sistemi elektroenergjetik i vendit ka muaj dhe vite që merr si subvencionim nga Qeveria për ta kompenzuar importin e rrymës dhe për të suportuar sistemin elektroenergjetik të vendit në ditët e krizës reale energjetike. ZRRE-ja nuk duhet ta lë anash dhe pa vlerësuar shumën rreth 100 milionëshe të subvencionimeve, që ç’është e vërteta janë para të taksapaguesve të Kosovës, pra të kosovarëve, nga të cilët tani ZRRE-ja po kërkon të paguajnë edhe më çmime të ngritura të rrymës.
Dëshmitë dhe faktet e përfshira përciptazi në këtë tekst dhe të tjera të panumërta që flasin kundër pretendimeve të ZRRE-së për çmime të reja të ngritura të rrymës në Kosovë i bëjnë jo serioze, të paqëndrueshme dhe të papranueshme arsyetimet e justifikimet e ZRRE-së për të rishtrenjtuar energjinë elektrike në Kosovë. Ndërsa ZRRE-ja, duhet të qëndrojë dhe të mbetet realisht e pavarur dhe të mos ndikohet nga kërkesa absurde dhe abuzive për çmime të reja të energjisë elektrike. /Buletini Ekonomik/