Afër 20 modele të llojeve të ndryshme të autonomive, vetë-qeverisjeve e zonave vetë-menaxhuese në shtete të ndryshme të Evropës janë shqyrtuar për të gjetur organizimin e përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Albanian Post ekskluzivisht ka siguruar dokumentin ku janë renditur të gjitha modelet e shqyrtuara.
Qeveria e Kosovës është e prezantuar më modelet e ofruara si shembuj dhe gjithashtu burime brenda qeverisë thonë se janë të njoftuar se cilat janë modelet bazë që mund të aplikohen në rastin e Kosovës.
Burimet e Albanian Post gjithashtu tregojnë se nuk do të replikohet një model në tërësinë e tij edhe për komunat me shumicë serbe.
Për shkak të konteksteve të ndryshme, specifikave dalluese dhe rrethanave të tjera do të bëhet një kombinim modelesh, varësisht se si pajtohen palët.
Ideja qendrore është që të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe burimet për Albanian Post thonë se do të ketë kombinim në mes të modeleve që përbëjnë autonomi territorial dhe jo territoriale, zona vetë-menaxhuese dhe kombinime të tjera.
Modelet që janë shqyrtuar janë nga Italia, Finlanda, Spanja, Danimarka, Portugalia, Norvegjia, Gjermania, Franca dhe Belgjika.
Janë afër 20 duke filluar nga Ishujt Aland dhe Asambleja apo Parlamenti i popullit Sami në Finlandë, pastaj komuniteti autonom i Baskëve në Spanjë, apo siç njihet Euskadi dhe Katalunia.
Më pas Ishujt Faroe në Danimarkë dhe në Itali Tiroli Jugor, Trieste, Sardinia, Lugina Aosta, kurse Azores dhe Madaira në Portugali.
Gjithashtu është shqyrtuar edhe arkipelagu i Svalbard-i që i takon Norvegjisë, kurse nga Gjermania janë tri modele: Heligoland, Schlesëig dhe Autonomia e Sorbëve në Saksoni.
Modelet e shqyrtuara nga Franca janë ishulli i Korsikës dhe Alzazi që është në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën.
Modeli i fundit është Komuniteti Federal i Gjermanëve në Belgjikë apo Komuniteti Gjermanisht-folës i Belgjikës që përbën një nga tri komunitetet federale në Belgjikë.
Disa nga këto modele paraqesin autonomi të fuqishme me të drejta shumë të mëdha dhe nivele tejet të fuqishme pushteti brenda shteteve respektive, kurse disa të tjera janë pa nivele pushteti të veçanta, por më shumë vetëm njohje simbolike e një kulture të veçantë që dallon nga popullsia shumicë.
Në mesin e kaq shumë modeleve dhe formave të ndryshme të vetëqeverisjes për pakicat kombëtare, që aktualisht aplikohen në territorin e Bashkimit Evropian zgjidhja për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe kërkohet në kombinimin e elementeve të ndryshme që aktualisht aplikohen në Gjermani, Itali, Francë dhe Belgjikë, përkatësisht modelet e Belgjikës Lindore (vetëqeverisja e komunitetit gjerman), modeli i Alzasit në Francë, modelet e vetëqeverisjes për Komunitetin Gjermanisht-folës dhe frankofon në Itali si dhe modeli i vetëqeverisjes së komunitetit danez në Gjermani.
Për shkak se asnjë nga modelet nuk mund të aplikohet dot me metodën “copy-paste”, është duke u menduar që të krijohet një model i veçantë i përshtatshëm për Kosovën.
Nga një model do të merret ideja e statusit të përgjithshëm të Asociacionit. Nga një tjetër model mendohet të merren elementet si e drejta për të organizuar sistemin arsimor dhe sisteme të tjera të lidhura direkt me komunitetin. Dhe sistemi i rregullimit të mbështetjes financiare nga shteti amë.
Kurse një model për shkak se nuk ka kompaktësi territoriale, po shërben për organizimin e bashkëpunimit mes komunave në veri dhe komunave të tjera me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës, pra modeli i jo domosdoshmërisë së lidhjes territoriale në mes të komunave.
Pos detajeve praktike, nga modele të tjera mendohet të merret fryma shumë e rëndësishme e mirëbesimit. Një detaj ky shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Më poshtë do të shpjegojmë disa nga modelet bazë të cilat po shërbejnë për përpunimin e statusit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Alzas, nën-rajon në Francë
Alzas është pjesë e Francës, por siç njihet atje një “collective territoriale”, pra një autoritet territorial, si nën-ndarje në Francë, të cilit i është njohur autoriteti qeverisës. Ky emër u njihet të gjitha atyre pjesëve që janë një entitet zgjedhor dhe kanë një qeverisje lokale dhe autoritet të rregulluar lokal. Franca e ka brenda Kushtetutës autoritetin territorial me Nenin 72. Ky nen mundëson një autonomi të limituar sipas ligjeve në fuqi.
Alzasi, në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën ka afër 2 milionë banorë dhe cilësohet si një nën-ndarje kulturore nga pjesa tjetër e Francës me banorët që kulturalisht janë një kombinim mes influencës gjermanike dhe franceze.
Aktualisht gjuha zyrtare është frëngjishtja, për shkak se me Kushtetutën e Francës është e ndaluar të ketë një gjuhë tjetër zyrtare, por kohëve të fundit në nivel lokal, nacional, por edhe evropian është promovuar gjuha alzasiane si element i identitetit të alzasianëve.
Gjuha alzasiane është një gjuhë që përbëhet nga kombinime të dialekteve gjermane dhe i takon familjes së gjuhëve indo-evropiane gjermanike. Shteti francez e njeh si një nga gjuhët që flitet në rajon, por nuk është në nivel të gjuhës zyrtare. Kjo gjuhë mësohet në shkollë në këtë pjesë, por jo si obligative. Në Alzas mësohet gjithashtu edhe gjermanishtja në shkollë. Për nga tingulli gjuha alzasiane tingëllon si gjermanishtja e zviceranëve.
Rajoni, përgjatë historisë dhe luftërave mes Gjermanisë dhe Francës ka ndërruar anë plotë pesë herë, varësisht kush ka qenë fituesi.
Statusi politik i Alzasit brenda Francës është ai i një “departamenti” plus disa kompetenca shtesë si të një rajoni. Pra ka një fuqi të ndërmjetme, nuk është rajon, por është mbi komunë dhe konsiderohet si një nën-rajon. Është më pak autonom se sa Korsika për shembull. Emri zyrtar i Alzasit është Kolektiviteti Evropian i Alzasit.
Franca, përveç nivelit qendror të pushtetit, ka edhe tri nivele të tjera – Rajonet administrative, departamentet, komunat. Alzas është nivel mbi-komunal dhe nën-rajonal. Statusi i veçantë u votua në parlamentin francez me 25 korrik të vitit 2019, derisa Ligji që ia përcakton fuqitë u shpall me 2 gusht 2019.
Komuniteti Gjermanisht-folës i Belgjikës
Komuniteti Gjermanisht-folës i Belgjikës apo Komuniteti Federal Gjerman, njohur ndryshe edhe si Belgjika Lindore, është një nga tri komunitetet federale të Belgjikës. Është territorialisht Brenda Provincës Liege në Valloni. Ka afër 80 mijë banorë dhe përbën 0.7 për qind të territorit të Belgjikës. Karakteristikë është se brenda Belgjikës ka edhe zona të tjera gjermanisht-folëse por nuk janë pjesë e Komunitetit Gjermanisht-folës. Ndërsa zona ku është e shtrirë Komuniteti Gjermanisht-folës që njihet edhe si Kantonet e Lindjes, përveç nëntë komunave të Komunitetit Gjermanisht-Folës ka edhe dy komuna frëngjisht-folëse – Malmedy dhe Vaimes. Për shkak të strukturës administrative komplekse të Belgjikës shpesh ka kombinime të tilla. Karakteristikë e Komunitetit Gjermanisht-folës është se nuk ka kompaktësi territoriale.
I gjithë shteti i Belgjikës është i strukturuar si një kompromis për shkak të tensioneve gjuhësore, kulturore, sociale dhe ekonomike. Prandaj, ka ndarje federale, regjionale, dhe nën-organizime të komuniteteve.
Komuniteti Gjermanisht-folës ka parlamentin dhe qeverinë e vetë.
Qeveria e Komunitetit Gjermanisht-folës është trupë ekzekutive. Anëtarët vijnë nga Parlamenti i Komunitetit Gjermanisht-folës. Udhëhiqet nga kryeministri apo ministri-president dhe përbëhet edhe nga 2 ose 3 ministra të tjerë.
Parlamenti ka 25 anëtarë të zgjedhur çdo pesë vjet. Shtesë ka edhe disa anëtarë të cilët nuk zgjidhen dhe nuk kanë të drejtë vote, por kanë role këshilluese.
Para vitit 1973 Komuniteti Gjermanisht-folës nuk ka pasur parlament, por një dhomë që njihej si Këshilli dhe ku anëtarët nuk zgjidheshin direkt, por shpërndarja e ulëseve bëhej nga zgjedhjet për parlamentin nacional. Nga viti 1973 anëtarët zgjidhen direkt dhe ka marrë emrin Parlament në vend të Këshillit.
Kompetencat e institucioneve të Komunitetit Gjermanisht-folës kanë të bëjnë me çështje gjuhësore, kulturore, në arsim, shëndetësi dhe të drejta të njeriut. Kanë gjithashtu edhe disa të drejta që u takojnë regjioneve, siç janë ato për Monumentet dhe Trashëgiminë kulturore, Çështje Arkeologjike dhe Politika Punësimi, derisa nga viti 2005 kanë marrë të drejta edhe në Çështje të mbikëqyrjes së komunave dhe sigurisë, financave dhe çështje të tjera të preokupimeve lokale.
Territori disa herë ka kaluar nga Belgjika në Gjermani dhe anasjelltas për të mbetur përfundimisht pjesë e shtetit të Belgjikës.
Schleswig-Holstein në Gjermani
Në shtetin e Schleswig-Holstein në Gjermani jetojnë diku rreth 50 mijë danezë etnikë që përbën afërsisht 10 për qind të popullatës në rajonin e kufirit me Danimarkën.
Për shkak të përkatësisë së tyre ata kanë një trajtim më unik dhe iu njihen disa të drejta si komunitet. Vetë rajoni ishte pjesë e kontestuar prej kohësh dhe kalonte herë në Danimarkë dhe herë të tjera në Gjermani.
Ndryshe nga rastet e më sipërme danezët në Schleswig-Holstein nuk kanë rregullim autonom me institucione të tyre, por në zgjedhje lokale nuk kanë prag zgjedhor prej 5 për qind siç kanë partitë e shumicës gjermane.
Popullata është kryesisht e koncentruar në qytetin Flensburg në kufi me Danimarkë.
Minoriteti ka objektet e veta kulturore dhe të edukimit, derisa në anën tjetër të kufirit, për shkak të një minoriteti gjerman në Danimarkë, gjermanët gëzojnë të njëjtat të drejta sipas rregullit të reciprocitetit. Gjithçka është e rregulluar nga autoritet daneze në njërën, vlen edhe për gjermanët në anën tjetër.
Komuniteti ka shkollat, organizatat e veta fetare, mediat, libraritë dhe muzetë.
Kushtetuta e shtetit gjerman të Schleswig-Holstein ruan të drejtat e minoritetit, derisa ata kanë shtetësi gjermane.
Ata kanë një parti politike e cila quhet Shoqata e Votuesve të Schleswig Jugor. Partia nuk merr pjesë në zgjedhjet nacionale, por vetëm në ato shtetërore të Schlesëig-Holstein.
Ekziston gjithashtu Asociacioni i Shkollave Daneze që është i ngarkuar me përgjegjësitë e organizmit të shkollave private dhe gjithashtu kurseve dhe edukimit të ndryshëm për të rritur brenda komunitetit danez.
Danimarka është përgjegjëse për mbështetje financiare të vazhdueshme të komunitetit danez në Gjermani. Por, gjithashtu edhe Gjermania mbështet financiarisht minoritetin. Kështu, dy minoritetet, danezët në Gjermani dhe Gjermanët në Danimarkë financohen nga të dy qeveritë.
Çdo vit, minoriteti danez pranon mbi 67 milionë euro nga qeveria e Danimarkës, për 50 mijë danezët në Gjermani.
Dy minoriteteve u garantohet autonomia kulturore nga qeveritë respektive. Shkollat daneze për komunitetin përkundër se konsiderohen shkolla private kanë status special me ligj të Gjermanisë dhe kanë rëndësinë e njëjtë si shkollat në gjermanisht.
Kjo ndihmë financiare merret si një nga sistemet më të mirë-organizuara për ndihmën e minoritetit nga shtetit amë. Kjo është edhe një nga modelet që është shikuar për ndihmën financiare që Serbia mund t’ia bëjë komunitetit serb në Kosovë.
Danimarka dhe Gjermania e kishin rregulluar gjithë problemin me atë që njihet si Deklarata Bon-Kopenhagë. Në fakt janë dy deklarata të ndara, por të njëjta në përmbajtje dhe të nënshkruara në vitin 1955.
Përkundër se deklaratat nuk janë ligjërisht të obligueshme në të drejtën ndërkombëtare, dy shtetet menjëherë pas nënshkrimeve i kishin bërë pjesë të ligjeve nacionale.
Deklaratat konstatonin se minoritetet në të dy anët e kufirit kanë të drejta të barabarta me qytetarët e tjerë, por edhe ishin paraparë lehtësira për nevojat specifike të minoriteteve.
Shembulli i rregullimit të çështjeve për minoritetet kufitare në mes të Gjermanisë dhe Danimarkës është një shembull i suksesit që është studiuar shumë gjatë edhe nga vende të tjera.
Tiroli Jugor
Tiroli Jugor është një nga shembujt më të njohur dhe të përmendur më shumë. Tiroli Jugor është një Provincë Autonome brenda shtetit të Italisë me kryeqytet Bolzanon. Tiroli Jugor ka rreth 540 mijë banorë dhe sipas censusit të fundit të vitit 2011, 62.3 për qind kanë gjermanishten si gjuhë të parë, 23.4 për qind italishten, 4.1 për qind gjuhën e quajtur Ladine, derisa pjesa tjetër flasin gjuhë të tjera si gjuhë të para.
Provinca ka një nivel të lartë të vetë-qeverisjes, me të drejta të zgjeruara legjislative dhe ekzekutive dhe një regjim fiskal që e lejon të mbajë për vete 90 për qind të të ardhurave. Tiroli Jugor është provinca më e pasur në Itali dhe një nga më të pasurat në Bashkimin Evropian.
Qeveria lokale është e bazuar në Kushtetutën e Italisë që i jep status të Autonomisë. Për shkak të një politike fiskale, provincës i lejohet të mbajë shumicën e taksave brenda për të ekzekutuar dhe administruar me kompetencat e veta.
Qeveria e Provincës që ndryshe quhet edhe si Komiteti i Provincës udhëhiqet nga Guvernatori dhe një numër këshilltarësh. Guvernator aktualisht është Arno Kompatscher, derisa ka 8 këshilltarë. Zëvendësit e guvernatorit emërohen nga këshilltarët.
Guvernatori dhe këshilltarët zgjedhën nga parlamenti me një votim të fshehtë me shumicë votash. Kompozicioni i qeverisë duhet patjetër të reflektojë proporcionalisht popullsinë në provincë, sipas gjuhës. Për shkak se grupi që flasin gjuhën ladine përbëjnë vetëm 4 për qind dhe nuk kanë fuqi elektorale është e rregulluar me statut të provincës që i lejon ladinët të jenë pjesë e qeverisë pavarësisht rezultatit zgjedhor, apo numrit të deputetëve në parlament.
Asnjë nga këto modele nuk do të aplikohet i plotë në Kosovë. Por, këto janë disa nga modelet kryesore nga të cilat janë marrë specifika të caktuara për të krijuar një model unik për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.