Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se në planin evropian përfshihet edhe njohja e Kosovës, teksa ka thënë se subjekti politik që ai drejton do të votojë pro kësaj marrëveshjeje.
Tutje, ai ka thënë se koha është faktor kyç për Kosovën, e nëse marrëveshja arrihet brenda këtij muaji, do të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta në veri, ashtu siç është paraparë.
“Besoj që pasi ka dakordim për planin, për aneksin për implementim, është në përfundim puna. Pra, pritet që në ditët që vijnë shumë shpejt që të arrihet dakordimi edhe për aneksin për implementim”.
“Me rëndësi për Kosovën është që të fitohet në kohë për shkak se nëse marrëveshja arrihet gjatë këtij muaji atëherë do të mund t’i mbajmë zgjedhjet e rregullta në veri ashtu siç është paraparë”.
Sipas Haradinajt në marrëveshjen evropiane, është edhe njohja nga Serbia.“Nuk qëndron konstatimi se ka njohjen, e ka njohjen marrëveshja, e ka njohjen në planin ndërkombëtar. Pra Serbia, e njeh Pavarësinë e Kosovës, të drejtat si shtet i pavarur, i barabartë në bazë kartës së OKB-së planin ndërkombëtar”, tha Haradinaj.
Kujtojmë se kundër përmbajtjes së kësaj marrëveshje kanë dalë dy partitë tjera opozitare LDK e PDK./Sinjali