Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka propozuar emrin e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Dobra tha se në konkursin për drejtor të PK-së kanë aplikuar pesë kandidatë teksa katër nga ta kanë hyrë në listë të ngushtë.
Tutje, ai u shpreh se pas vlerësimit profesional janë rekomanduar 3 kandidatë, Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Bahri Shala dhe, MPB konkretisht ministri Sveçla ka propozuar për drejtor të PK-së Gazmend Hoxhën.
“ MPB ka zhvilluar procedurën e rekrutimit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Në këtë konkurs kanë aplikuar pesë kandidatë, 4 kanë hyrë në listë të ngushtë. Pas vlerësimit profesional, janë rekomanduar 3 kandidatë Gazmend Hoxha, Granit Fetahu dhe Bahri Shala. Ministri i propozon si kandidat për drejtor të policisë z.Gazmend Hoxhën”, tha Dobra, transmeton Gazeta Express.
Pikë kjo që u miratua nga Qeveria e Kosovës.