Në takimin e mbajtur përmes platformës “Zoom”, me shoqërinë civile, ku pjesëmarrës kishte edhe gazetarë, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), Ekaterina Trendafilova, është deklaruar rreth deklaratës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, për krijimin e një mekanizmi kontrolli ndaj kësaj gjykate.
“Sa i përket, lexova dhe e kam përcjell gjithashtu deklaratën e zotit Konjufca, kryetarin e Parlamentit, më duhet të shpreh pikëpamjen time, ne jemi gjykatë, asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje që vjen nga legjislativ apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur”, ka thënë Trëndafilova, kur është pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e Konjufcës.
Ajo po ashtu deklaroi se thekson edhe njëherë se vetëm individët mund të akuzohen për krimet që janë në juridiksion të DhSK e jo grupet etnike, organizatat apo ndonjë entitet tjetër.
“Vendimi se kush do të akuzohet për një krim i takon ekskluzivisht vetëm prokurorit të specializuar, Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Dhomat e Specializuara janë institucione të ndara dhe pavarura plotësisht nga njëra tjetra”, ka thënë ajo.
Fillimisht, sa i përket këtij takimi me shoqërinë civile, që ishte planifikuar të mbahet në Gjilan, Trëndafilova tha se udhëtimi i saj për në Kosovë ka dy muaj që ishte planifikuar.
“Një pjesë e rëndësishme e planifikimit tim ishte të jem në Gjilan për t’u takuar me të gjithë ju personalisht, megjithatë siç tha Angela, duke pas parasysh edhe kohën e verës, një numër i madh i pjesëmarrësve shprehën parapëlqimin t’i bashkohen takimit përmes “Zoom” dhe besojmë që do të jemi në gjendje të angazhohemi në një shkëmbim frytdhënës”, tha ajo.
Sipas saj, udhëtimi në Kosovë është shtyrë, por e njëjta do të jetë këtu pas periudhës së verës.
“Unë do të vij në Kosovë për t’u takuar personalisht me ju për punën e Dhomave të Specializuara”, ka thënë ajo. /betimiperdrejtesi