Ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku të hënën pasdite i erdhën nga pushteti akuza për “lidhjet” e saj me ish-zyrtarin e lartë të FBI, Charles McGonigal, i cili është arrestuar nën akuzat se kishte marrë para nga një ish-agjent shqiptar dhe për takime të padeklaruara me zyrtarë të tjerë në Tiranë. Nënkryetarja e PDK-së i quajti “përpjekje qesharake për të shpërndarë mjegull” disa fotografi të publikuara nga deputeti i LVV-së, Artan Abrashi nga një ngjarje në SHBA në vitin 2017. Në rastin “McGonigal” nuk përmendet ndonjë takim i ish-agjentit amerikan me ndonjë politikan kosovar në SHBA.
Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur akuza në drejtim të nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, duke i kërkuar asaj llogari për “lidhjet” me agjentin amerikan, Charles McGonigal, i arrestuar për dyshimet se kishte marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për lidhjet e tij me zyrtarë të tjerë në Shqipëri.
LVV të hënën përdori disa fotografi publike të një ngjarjeje të vitit 2017, në të cilën kishin qenë të pranishëm ambasadorja e atëhershme e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, dhe ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal.
“Ish-ambasadorja dhe tash nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku është mirë të na njoftojë për lidhjet dhe takimet me këtë person dhe temat e diskutuara”, shkroi në Facebook deputeti i LVV-së, Artan Abrashi.
Çitaku reagoi duke i quajtur “qesharake” përpjekjet e LVV-së “për të shpërndarë mjegull”.
“Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger. Ngjashëm jam ftuar edhe në State Department, CIA etc. Ky ka qenë nderë që i është bërë Kosovës. E tash, si e keni Martinin?”, shkroi Çitaku në Facebook. Pak më vonë e publikoi edhe fjalimin e saj në atë ngjarje.
Fotografitë të cilat i përdori tash LVV-ja, më 5 tetor 2017 ishin publikuar në Facebook nga Ambasada e Kosovës në Washington.
“Ambasadorja Vlora Çitaku foli dje në auditorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) për rolin e domosdoshëm që SHBA-të luajnë në botë. SHBA-ja është një partner kyç për vende të ndryshme, përfshirë Kosovën, në luftimin e sfidave rajonale dhe globale”, thuhej në postimin e Ambasadës në Facebook.
Për këtë ngjarje kishin raportuar edhe mediat në Kosovë.
Kosova në rastin “McGonigal”
Duke përmendur “rastin McGonigal”, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi tha se ka parë tek përmenden politikanë nga Kosova që kanë pasur lidhje me ish-zyrtarin e lartë të FBI.
“Në debatin publik e televiziv në Shqipëri, sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjë të tillë, kemi parë tek përmenden edhe politikanë nga Kosova. Rasti Mcgonigal nuk është çfarëdo teme por çështje që ndërthuren shumë zhvillime politike”, shkroi ai në Facebook.
Ish-agjenti i FBI, McGonigal, u arrestua në janar pasi akuzohet se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Ai gjithashtu akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe se ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë, të cilat thuhet se nuk i ka raportuar sipas rregullave.
Është zbuluar se McGonigal, ndër tjerash, kishte përfiuar edhe udhëtime me shpenzime të mbuluara në Shqipëri, Kosovë e Bosnjë. Ai ishte takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili e ka pranuar këtë, por ka mohuar përfshirjen e tij në këtë rast. Këto takime, në aktpadi thuhet se u organizuan nga një shqiptar i cili përshkruhet si “këshilltar joformal” i Ramës.
Ish-zyrtari i lartë i FBI-së rezulton se është takuar edhe me një politikan në Kosovë dhe me dy politikanë në Bosnjë. Por nuk përmendet ndonjë takim i tij me ndonjë politikan kosovar në SHBA.
Akuzat që rëndojnë ndaj McGonigal lidhen me faktin se ai nuk ka raportuar në sistemin e mbrojtjes së integritetit të zyrtarëve të FBI-së përfitimet në para dhe në mbulime shpenzimesh udhëtimi si dhe takimet me zyrtarët e huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë.
“Në vjeshtën e vitit 2017, në vendbanimin e Personit A në New Jersey, i pandehuri McGonigal mori dy herë më shumë para të thata nga Personi A në sasitë afërsisht 80 mijë dhe 65 mijë dollarë”, thuhet në aktakuzë.
“Në 16 tetor 2017, i akuzuari McGonigal plotësoi një FD-772b (formular i brendshëm i FBI) në lidhje me udhëtimin e tij në shtator në Shqipëri dhe Kosovë. Plotësimi dështoi në mënyrë të papërshtatshme të raportojë se i akuzuari McGonigal u takua me kryeministrin e Shqipërisë në Shqipëri dhe një politikan në Kosovë dhe në mënyrë të pavërtetë mohoi së i akuzuari McGonical kishte deklaruar punësimin e tij për një shtetas të huaj jashtë punës zyrtare të FBI”, thuhet më tej në aktakuzë.
Sipas aktpadisë, McGonigal i kishte mbajtur lidhjet me Shqipërinë përmes ish-zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, i cili në aktakuzë identifikohet si “Personi A” dhe mendohet të jetë Agron Neza, sipas Zërit të Amerikës. “Personi B”, përshkruhet si “shtetas shqiptar, i punësuar nga një konglomerat kinez energjie” dhe “këshilltar jozyrtar i kryeministrit të Shqipërisë”.
Personi A dhe Personi B, sipas aktpadisë, “ishin miq dhe partnerë biznesi me njëri-tjetrin”.