Një aksion i Policisë së Kosovës i zhvilluar në Mitrovicë ka rezultuar me sekuestrimin e rreth një kg substancë narkotike marihuanë dhe arrestimin e një personi të dyshuar për shitblerje të drogës.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që u kap gjatë këtij aksioni është një 63-vjeçar, i cili është ndaluar të dielën në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicë, ku u kap në flagrancë nga Policia.
Me rastin e kontrollit policor në veturën e tij, zyrtarët policorë kanë gjetur disa qese që kapin vlerën e 700 gramë substancë narkotike, e llojit marihuanë, peshore e pajisje të tjera, që janë sekuestruar si dëshmi. Sinjali mëson se edhe vetura e të dyshuarit është sekuestruar po ashtu, derisa të hetohet rasti.
Pas përfundimit të aksionit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.