“Kam me t’vra…”/ Dy javë pasi e denoncoi, 37-vjeçarja nga Prishtina kërcënohet nga ish i dashuri

Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet e ngacmimet ndaj tyre. Një rast i tillë ka ndodhur të shtunën në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, ku një 37-vjeçare denoncuar në Polici ish të dashurin e saj.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në një lokal, ku ndodhej viktima bashkë me një mike të saj, kur papritmas i doli përpara ish i dashuri i saj. Pa kaluar mirë dy javë prej kur e kishte denoncuar për shqetësimin e vazhdueshëm, i dyshuari ka vazhduar sërish me veprime të tilla.

Sipas dëshmisë së viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, i dyshuari ka shkuar në lokalin ku ndodhej ajo dhe e ka kërcënuar duke i thënë “kam me t’vra, ma zi se herën e kalume kam me ta bo”, fjalë këto që e kanë shqetësuar shumë viktimën, për çka e denoncoi rastin në Polici.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar më pas në stacion policor, ku e ka pranuar veprën për të cilën ngarkohet, duke e arsyetuar se nuk ka vepruar me vetëdije, prandaj është i penduar.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Kanosje”.