Letra e Bidenit për Vuçiqin pa njohje reciproke, Kurti: Nuk e kam lexuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot në një konferencë për media për një varg çështjesh aktuale politike.

I pari i Qeverisë ka folur për gjashtë parimet e shprehur për Asociacionin, shkruan lajmi.net.

“Ato gjashtë parime mundësojnë që Asociacioni të mos jetë monotetnik dhe në përputhje me Kushtetutën, si dhe të ketë reciprocitet të të drejtave, strukturat ilegale duhet të shuhen e çarmatosen në veri. Në fillim të nëntorit ka pasur urdhër direkt për ç’integrim nga Beogradi”, tha Kurti.

“Unë jam kryeministër edhe i serbëve në Kosovë. Dhe këtë duhet ta pranojë Beogradi”, shtoi kryeministri.

Për propozimin e BE-së, që në opinion njihet si plani franko-gjerman, Kurti tha se është i pranueshëm dhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme.

“Është sjellur tek unë më 6 dhjetor dhe kam dhënë vëretjet e mija dhe nuk është e përshtatshme tash të flas për detajet e Bashkimit Evropian. Propozimi evropian është i pranueshëm, bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme”, tha ai.

Kurti nga gazetarët u pyet edhe për faktin se presidenti amerikan, Joe Biden në letrën e tij dërguar Vuçiqit, nuk e përmend njohjen reciproke, gjë që kishte ndodhur në dy letrat që ai kishte dërguar në Beograd në 2021 dhe 2022.

“Unë nuk e kam lexuar atë letër ende dhe natyrisht që nuk e kam shkruar unë, prandaj besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë kryesor në shtetndërtimin tonë demokratik, në zhvillimin ekonomik dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke.

Natyrisht që do të ketë edhe çështje të tjera në atë marrëveshje përveç njohjes reciproke por ajo është në qendër. Procesi i bisedimeve nuk ka filluar ende. Duhet të ketë takim të nivelit të lartë dhe nga bisedimet shohim se çka e kur. Normalizim të plotë pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë. Në çdo takim që kemi pasur me partnerët, e pranojnë se normalizimi e njohja s’mund të çahen nga njëra tjetra”, u përgjigj Kurti.