Policia e Kosovës ka nisur hetimet mbi tri raste të vdekjeve të dyshimta.
Kështu thuhet në raportin e Policisë së Kosovës, teksa theksohet se rastet e vdekjes janë në Graqanicë, QKUK në Prishtinë si dhe një tjetër në Malishevë.
Një burrë është gjetur pa shenja jete në Graqanicë, konkretisht në fshatin Badovc të Ri. Siç thuhet në raportin 24 orësh, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Turpi i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.
“Fsh. Badovc i Ri, Graqanicë 06.02.2023 – 09:24. Është raportuar se viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e PK-së.
Një tjetër rast i hetimit mbi vdekje është në QKUK në Prishtinë. Në raportin e policisë thuhet se një burrë ka raportuar në polici se i ka vdekur vajza e tij e cila ishte duke u trajtuar në QKUK.
Siç thuhet në raport, trupi i viktimës është dërguar për obduksion.
“QKUK Prishtinë 06.02.2023 – 18:30. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se është njoftuar nga stafi i QKUK-së se vajza e tij, viktima femër kosovare e cila ka qenë duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet ndër të tjera në raport.
Ndryshe, dje është raportuar edhe për një person i cili është gjetur i vdekur në një rrugë në Kervasari të Malishevës. Siç thuhet në raport, rasti është duke u hetuar, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
“Fsh. Kervasari, Malishevë 06.02.2023 – 09:20. Viktima mashkull kosovar është gjetur i shtrirë në tokë, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.