Gjykata dënon rahovecianen – rrahu dhe lëndoi kunatën e saj

Gjykata e Gjakovës, dega në Rahovec, ka dënuar me katër muaj burgim një grua nga Rahoveci pasi ajo është shpallur fajtore për shkaktim të lëndimit të lehtë trupor ndaj kunatës së saj.

Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se L.M. me dashje i ka shkaktuar lëndime trupore kunatës së saj D.H.

Rasti kishte ndodhur më 22 korrik 2022 në Rahovec, në shtëpinë e tyre të përbashkët.

Sipas njoftimit, atë ditë pas një mosmarrëveshjeje, e pandehura L.M. fillimisht ishte fjalosur me vjehrrën e saj, e më pas e revoltuar e kishte goditur kunatën e saj D.H., duke e kapur për flokë, për fyti dhe ka vazhduar duke e goditur me duar dhe grushte, me çka të dëmtuarës i ka shkaktuar gërvishtje në pjesën e djathtë të qafës.

Me këtë rast, të akuzuarës L.M. i është caktuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej katër muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në afatin prej një viti nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nëse e akuzuara nuk kryen vepër të re penale.

Në njoftimin e Gjykatës është bërë e ditur se urdhërohet Shërbimi Sprovues i Kosovës – Zyra Rajonale në Gjakovë që të mbikëqyrë dhe të ekzekutojë dënimin me kusht, ashtu që obligohet e akuzuara L.M. të mbajë kontakt të rregullt me Shërbimin Sprovues të Kosovës – Zyra Rajonale në Gjakovë.

Ndër të tjera është bërë e ditur se e akuzuara L.M. obligohet që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë: në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 euro dhe në emër të Fondit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej tridhjetë 30 euro, dhe në emër të ekspertizës mjeko-ligjore shumën prej njëzet 20 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas njoftimit, gjatë mbajtjes së shqyrtimit fillestar gjyqësor, e akuzuara L. M. ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, ndjehet e shumë e penduar për veprimet e saj dhe se nuk ka pasur për qëllim t’i shkaktojë lëndime palës së dëmtuar, mirëpo në ato momente ka qenë situata e tensionuar në familje, të dëmtuarës i ka kërkuar falje.

Andaj ka kërkuar nga Gjykata që të aprovojë pranimin e fajësisë dhe t’i shqiptojë një dënim sa më të butë dhe të ketë parasysh rrethanat lehtësuese me rastin e vendosjes lidhur me lartësinë e dënimit dhe atë te vlerësojë pranimin e fajësisë, është nënë e një fëmije të mitur, premtimi se në të ardhmen nuk do të përsërisë veprime te tilla.

Ndërsa, e dëmtuara D.H. në seancën e shqyrtimit fillestar ka deklaruar se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike.