“Pse doni që familja ime të vdesë nga uria?” – Trajneri jugafrikan e fiton rastin kundër Llapit në KAS

Alan Clark, një trajner jugafrikan, e ka fituar një rast kundër Llapit në Gjykatën e Arbitrazhit Sport (KAS) në Zvicër, për borxhin e papaguar gjatë kohës sa ishte trajner i ekipit të të rinjve, si pasojë e të cilit u keqtrajtua në Podujevë.

Pasi i kishte kërkuar rrogat e papaguara duke u ankuar se familja kishte nevojë për t’u ushqyer, drejtuesit e Llapit i kishin kërkuar të kthehej në Afrikën e Jugut për të vdekur nëse ndihej se po vdiste nga uria.

Clark, 42 vjeç, konfirmoi për Gazetën Nacionale fitimin e rastit kundër Llapit në KAS.

“Jam i kënaqur që drejtësia ka triumfuar dhe shpresoj se përvojat me të cilat unë dhe familja ime u desh të përballeshim nuk do të përballet asnjë bashkëkolegë profesionistë në të ardhmen”, tha Clark për Nacionalen.

Llapi i detyrohet trajnerit jugafrikan paga të mbetura nga marrëveshja që kishte me të gjatë sezonit 2020/21 kur Clark udhëhoqi ekipin U19 llapjan.

Ai ishte emëruar ndihmëstrajner i parë i Tahir Batatinës së pari në vitin 2020, para se të zhvendosej në postin e trajnerit të U19 pak kohë më vonë.

PDOCAST-i KËTU

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina – i cili është një nga pronarët e klubit po ashtu – nuk deshi të komentojë mbi rastin, duke thënë se nuk ishte në dijeni për rastin, pavarësisht se klubi është njoftuar nga CAS-i në fillim të janarit.

“Nuk e di, nuk e di për atë çështje. Nuk dua të merrem me të. Nuk është i nivelit m’u marr unë me të. As që dua ta komentoj punën e tij bile”, tha Batatina për Nacionale.

Hollësitë e rastit në KAS nuk janë bërë publike për shkak të konficdialitetit.

Rasti i Clark me Llapin është i dyti në këtë periudhë kohore që flet për trajtimin e keq me të cilin përballen të huajt në futbollin kosovar, pas abuzimit racor me të cilin u përball lojtari francez Moussa Kamara në klubin e Ferizajt.

As Clark nuk kishte shpëtuar pa u keqtrajtuar nga drejtuesit e Llapit kur kishte kërkuar t’i paguheshin pagat që klubi i detyrohej.

“Nëse vdes, shko ka je ardh”

Në një bisedë të parë nga Nacionale mes Clarkut dhe zëvendëspresidentit të atëhershëm të Llapit, Amrush Batatinës, ky i fundit i kërkon trajnerit 42-vjeçar të shkojë të vdesë në Afrikën e Jugut.

Clark ishte ankuar se nuk kishte marrë rrogë për tre muaj rresht dhe se familjes së tij i nevojitesh para për t’u ushqyer.

Por reagimi që e mori nga Batatina ishte më i pakti

“Mirëmëngjesi president. A mund të më tregoni arsyen që dëshironi që familja ime të vdesë nga uria? Dhe pse klubi qëllimisht u jep kundërshtarëve U19 pikë? Unë nuk kam (marrë) asnjë rrogë për më shumë se 3 muaj? A i trajton punëtorët kështu Llapi?”, i kishte thënë Clarku Amrush Batatinës në një mesazh më 7 maj 2021.

Batatina kishte këmbëngulur se pagat e tij ishin paguar, megjithëse gjykata gjeti se nuk i ishin paguar, si dhe i kërkoi të kthehej në Afrikën e Jugut.

“Nëse vdes shko atje ka je ardh i nderuar. Rrogat paguhen të mërkurën. Nuk po të kuptoj krejt rrogat i ke marrë”, i ishte përgjigjur Batatina Clarkut në të njëjtën ditë.

Clarku kishte mbetur i tronditur nga trajtimi që i ishte bërë nga zëvendëspresidenti i Llapit atë kohë, duke i reaguar: “Uau, çfarë deklarate raciste e ksenofobe. A nuk je ti një i huaj që jeton në Gjermani. Sa gjë e tmerrshme ta thuash për gruan time dhe tre fëmijët e mi. Plotësisht e pështirë. Të të vij turp”.

Llapi rrezikon të përballet me ndalesë të transferimit të lojtarëve nga FIFA nëse nuk i shlyen detyrimet ndaj Clarkut.

Clark kishte një rekord të shkëlqyer në krye të U19, duke i fituar 2.85 pikë për ndeshje dhe 3.6 gola për ndeshje.

Ai e çoi Llapin U19 nga pozita e 11-të në atë vendin e pestë me vetëm katër pikë larg liderit para se të largohej.