Hovenier për Asociacionin: Urgjente e shumë e rëndësishme

Ka përfunduar tashmë takimi për modalitetet e themelimit të Asociacionit i organizuar në Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka dalur me një deklaratë pas takimit, ku potencoi se Asociacioni nuk do të jetë një “Republika Srrpska” por që në përputhje me Kushtetutën, ai duhet të themelohet sa më shpejt.

“Disa zyrtarë të lartë të SHBA-së e kanë qartësuar. Dhe unë dua të jem shumë i qartë për pozitën e SHBA-së. Ne nuk mbështesim ndonjë angazhim që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe që s’është në përputhje me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese apo që do të kërcënojë sovranitetin e Kosovës, pavarësinë, karakterin multi-etnik apo institucionet demokratike.

Në kundërshtojmë fuqishëm krijimin e ndonjë etniteti që ngjan me “Republika Srpskan” në Bosnje e Hercegovinë”, – ka thënë Hovenier.

Ai tutje ka thënë se SHBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës që të ndajë vizionin e saj për Asociacionin, një Asociacion që Kosova mendon se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik, e multi-etnik. “Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të japë vizionin e saj për Asociacionin, që ajo beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet multi-etnike, sovrane dhe demokratike dhe që ofron të drejtat për minoritetin në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka shtuar ambasadori Hovenier.

Ambasadori tutje ka thënë se formimi i Asociacionit është urgjente dhe e rëndësishme.

“Kjo është urgjente dhe shumë e rëndësishme. Ne jemi të gatshëm që të japim ekspertizë dhe përkrahjen politike që të sigurohemi që kjo funksionon në shërbimin më të mirë për të gjithë kosovarët”, ka potencuar ai.

I pari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovë, më tej është shprehur se anëtarët e Qeverisë kanë mundësi të marrin atë që dëgjuan në tryezë, e se shpreson që ky diskutim të inspirojë në themelimin e Asociacionit, duke potencuar se ShBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë me Kosovën si miq e aleat.

“Anëtarët e Qeverisë tashmë kanë mundësinë që të marrin çfarë dëgjuan këtu. Ne shpresojmë që ky diskutim të inspirojë rinisjen e angazhimit për të punuar drejt themelimit të Asociacionit që ne e konsiderojmë krucial derisa Kosova ndërton të ardhmen e saj si shtet demokratik, multi-etnik dhe shtet i pavarur që është plotësisht i integruar në Bashkim Evropian dhe strukturat euro-atlantike. SHBA-ja e ndan këtë vizion me popullin e Kosovës dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë me ta si miq si aleat”, ka përfunduar Hovenier./Nacionale