Policia e Kosovës njofton se ka shoqëruar në stacion dy persona nën dyshimet për shmangie nga tatimi.
“Mbrëmë rreth orës 21:00, nga zyrtarët policor të stacionit të Fushë Kosovës, janë shoqëruar në stacion dy persona të cilëve u janë gjetur dhe sekuestruar një shumë të parave”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shuma e sekuestruar, sipas Policisë, është rreth 33 mijë euro dhe sekuestrimi u bë në rrugën e Pejës, në Bresje, kur automjeti me të cilin po lëviznin, është ndaluar nga policia për një kontroll rutinor.
“Personat e dyshuar nuk kanë arritur të dëshmojnë prejardhjen e parave të sekuestruara, andaj është iniciuar rast për shmangie nga tatimi”, thotë Policia.
Në fund, njoftohet se dy personat e ndaluar, janë liruar.
“Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore në konsultim me prokurorin e shtetit, janë liruar në procedurë të rregullt”.