Analisti gjerman dhe anëtari i “Democratization Policy Council”, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për zhvillimet e fundit në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, propozimin franko-gjerman dhe për presionin që ndërlidhet me themelimin e Asociacionit.
I pyetur se si se sheh rolin e presidentes Vjosa Osmani në gjithë procesin, Weber thotë se rolin kryesor në negociata e ka kryeministri Albin Kurti dhe kryengeociatori Besnik Bislimi derisa për shefen e shtetit thotë se ka një rol të rëndësishëm në përfaqësimin e pozitës negociouese të Kosovës.
“Në përgjithësi, nuk shoh dallime politike mes Osmanit dhe Kurtit kur është fjala për dialogun në përgjithësi, dhe për të ashtuquajturin propozim gjermano-francez dhe më konkretisht Asociacionin”, ka thënë Weber për Express.
Sa i përket involvimit të saj të mundshëm në proces përmes ndonjë propozimi për gjetjen e një zgjidhjeje për Asociacionin, Weber thotë se i takon vetëm Qeverisë së Kosovës që të bëjë diçka të tillë dhe se dizajnimi i Asociacionit duhet të bëhet përfundimisht nga Qeveria e Kosovës.
“Vendimi për Asociacionin dhe procesi i paraqitjes së një propozimi për dizajnin institucional të Asociacionit duhet të vijë përfundimisht nga qeveria”, ka shtuar tutje Weber.
Në këtë intervistë Weber ka folur edhe për atë nëse Kurti do ta pranojë Asociaiconin apo ka mundësi që të dështojë i gjithë procesi përfshirë edhe propozimi franko-gjerman.
Weber në këtë pikë thotë se s’e ka të qartë se çfarë konkretisht Brukseli dhe SHBA-ja po kërkojnë nga Kosova sa i përket Asociacionit dhe raportin ndërmjet procesit të themelimit të Asociacionit dhe propozimit franko-gjerman.
Weber thotë se më herët dukej se Asociacioni ishte pjesë e një kërkesë më të përgjithshme kur flitej për implementimin e marrëveshjeve të pazbatuara. Ndërsa thotë se gjatë krizës për targat dhe tensioneve të fundit në veri të Kosovës u përdor si mjet për të zgjidhur situatat.
“Fillimisht vitin e kaluar, u duk se Asociacioni ishte pjesë e një kërkese më të përgjithshme për zbatimin e çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara më parë, ku as vitin e kaluar dhe as këtë vit askush nuk përmendi ndonjë nga obligimet që Serbia nuk i ka përmbushur me vite. Më pas, në kontekstin e përshkallëzimit të fundit në veri për çështjen e targave të fundit të vitit të kaluar, zyrtarët amerikanë dukej se e kishin kthyer Asociacionin në një mjet për të zgjidhur atë konflikt”, ka thënë Weber për Express.
Por tashmë pas vizitës së pesëshes në Kosovë, Weber thotë se s’është e artë nëse fillimi i themelimit të Asociacionit është parakusht për marrëveshjen për propozimin franko-gjerman apo se si do të pozicionohej në kuadër të zbatimit të marrëveshjes.
Weber thotë se çështja e Asociacionit është shumë e ndërlikuar dhe ka dy probleme, një që është thelbësor dhe problemi tjetër që është i karakterit politik.
Kur e thotë këtë, Weber thotë se s’është aq e thjeshtë të thuhet që vetëm themelojë Asociacionit ashtu siç përkufizohet në marrëveshjet 2013 dhe 2015, meqë sipas analistit gjerman Bashkimi Evropian qëllimisht i ka lënë kompetencat e Asociacionit të padefinuara.
Këtë problem Weber thotë se nuk e zgjidhi as vendimi i Gjykatës Kushtetuese në dhjetorin e vitit 2015.
“Domethënë gjykata iu shmang qëndrimit. Megjithatë, ajo për të cilën gjykata mori qëndrim, ishte se u gjykua se karakteri monoetnik i Asociacionit paraqet shkelje të parimit të mosdiskriminimit, përkatësisht të joserbëve që jetojnë në komunat që do ta përbëjnë Asociacionin. Kjo do të thotë se dispozitat e Asociacionit në marrëveshjen e prillit janë në thelb – në kundërshtim me konventën evropiane për të drejtat e njeriut”, ka potencuar Weber për Express.
Ai thotë se duke parë se dispozitat e Asociacionit në thelb janë në kundërshtim me Konventën evropianë për të drejtat e njeriut atëherë do të ishte mirë që Lajçak dhe këshilltarët e Macron dhe Scholz të gjenin ndonjë mënyrë për t’i çuar në Komision të Venecias marrëvehjet e vitit 2013 dhe 2015 për shqyrtim.
Nëse s’ndodh kjo, Weber thotë se mund të shkohet drejt një situate të rrëmujshme ku Kosova përfundimisht tërhiqet nga themelimi i Asociacionit dhe pajtohet me propozimin franko-gjerman dhe ndërkohë pasi të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës t’i çojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut marrëveshjet për Asociacionin.
Sipas Weber, një gjë e tillë do të rrezonte gjithë konstruktin e Asociacionit.
Eksperti gjerman tutje sqaron edhe problemin politik që ekziston. Ai thotë se deri tani Perëndimi ka dështuar fatkeqësisht që të jetë bindës kur bëhet fjalë për frikën e Kosovës që Asociacioni përveç që mund të minojë funksionalizimin e shtetit të Kosovës mund të përdoret edhe në të ardhmen si mjet për shkëputje etnoterritoriale. Këtu e përmend qasjen që kanë pasur ndaj Dodikut dhe Çoviqit në Bosnje e Hercegovinë.
“Sepse për dy vitet e fundit, zyrtarë të nivelit të lartë të BE-së dhe SHBA-së, duke përfshirë shumicën e negociatorëve për dialogun, kanë marrë një qasje qetësuese ndaj liderëve nacionalistë serbë dhe kroatë Dodik dhe Covic, duke mbështetur kështu de facto politikën e tyre të ndarjes etnoterritoriale të Bosnjës me pasoja të mundshme të gjera jo vetëm për stabilitetin e vendit, por edhe për rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor”, ka potencuar Bodo Weber.
Në fund i pyetur për mundësinë e ndonjë ndëshkimi nga SHBA dhe BE nëse Kosova dështohet të arrihet një marrëveshje, Weber thotë se kjo çështje është e diskutueshme. Ai thotë se nëse mund të identifikohet përgjegjësi kryesor për dështimin, atëherë me siguri që do të ketë pasoja të caktuara politike.
“Varet – nëse iniciativa e tanishme e dialogut, propozimi dështon në atë mënyrë që ose Prishtina ose Beogradi të mund të identifikohen me përgjegjësinë kryesore për dështimin, që me siguri do të kishte pasoja të caktuara politike”, ka përfunduar Bodo Weber.