Lëvizja Vetëvendosje ka postuar sërish një video në lidhje me keqpërdorimet e pretenduara në rrugë.
Në videon e titulluar “Çka ka, çka s’ka nëpër rrugë”, Vetëvendosje ka listuar disa rrugë të cilat ata vlerësojnë se janë në rrugë të drejtë për t’u jetësuar.
Edhe në këtë video, VV-ja, partia më e madhe në Kosovë aktualisht, është marrë me të kaluarën, duke akuzuar ish-qeveritë për plane të zhvatjes.
“Me punë të mbrapshta dhe plane të zhvatjes na kanë bllokuar rrugët kryesore për vite, por qeverisja e re tashmë i ka zhbllokuar ato dhe ka filluar punën për t’i përfunduar ato projekte.” – shkruan LVV-ja.
Madje, ata kanë përmendur edhe shifra që sipas tyre planifikoheshin të “plaçkiteshin”.
“Vetëm në aksin Kievë-Zahaq të rrugës Prishtinë – Pejë ishte planifikuar një plaçkitje e madhe e buxhetit të vendit. 240 milionë euro do t’i kushtonte Kosovës hajnia në emër të ndërtimit e shpronësimit. Por e parandaluam. Me qeverinë aktuale ky ndërtim e shpronësim nuk do të kushtojë më shumë se 90 milionë euro.” – thuhet aty.