I dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova e ka mbështetjen e plotë të ShBA-vë, dhe sipas tij Kosova është një parter i mirë dhe se nuk sheh ndonjë dyshim.
Escobar ka folur edhe për marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka thënë se ende ka punë për tu bërë.
“Mendoj se kemi ende punë për të bërë atje, por besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Kosova ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve, është një partner i mirë dhe nuk shoh asnjë dyshim atje, mendoj se do të arrijmë atë që duam.” – ka thënë Escobar, shkruan Vijesti.
Sa i përket planit franko-gjerman, Escobar ka thënë se ky plan është një platformë për të gjetur zgjidhje ndërmjet dy shteteve, e, që po sheh reagime pozitive kundrejt këtij plani nga Prishtina dhe Beogradi.
“Jemi ende në fillim. Por shoh disa reagime pozitive nga të dy kryeqytetet. Realiteti është se në krizën aktuale nuk është ide e mirë që Evropa të mbajë një konflikt të ngrirë brenda kufijve të saj. Ajo që ne po bëjmë është të përdorim këtë propozim si një platformë për të gjetur një zgjidhje që do të funksiononte për të dy vendet. Dhe këto janë zgjidhje që hapin rrugën euroatlantike, mbrojnë komunitetet pakicë dhe hapin realisht mundësi për lidhje ekonomike. Dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se ka arsye për optimizëm.” – ka shtuar Escobar.
Çka tha sot Vuçiq?
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar Serbisë lidhur me situatën në lidhje me negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Në këtë fjalim drejtuar popullit serb, Vuçiq është parë ndoshta më i “zbutur” se kurrë që kur filloi të udhëheqë shtetin serb.
Takimi që pati me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirsolav Lajçak, amerikanin, Gabriel Escobar, francezët, gjermanët dhe italianët më 20 janar, duket të ketë pasur efekt real në qëndrimin e presidentit serb sa i përket çështjes se Kosovës për shumë çështje të ndryshme.
Ai tha se kohët kanë ndryshuar, rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar dhe se Evropa nuk do ta tolerojë Serbinë pasi nuk ka më kohë për lojëra politike.
“Unë kam marrë pjesë në të gjitha diskutimet, që nga koha kur Daçiq ishte në krye të Qeverisë dhe asnjëherë nuk është dukur kështu. Pyetja është pse? Fakti është se rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar, Evropa është në një luftë de facto. Nuk ka tolerancë për të kërcyer në kuptimin politik, e në anën tjetër ata e duan në oborrin e tyre, edhe ne jemi oborri i tyre dhe ata duan që gjithçka të jetë si të duan” – tha Vuçiq.
Plani franko-gjerman
Vuçiq bëri me dije se në takimin që ka pasur me “pesëshen e madhe” i është thënë se duhet të pranohet plani dhe se në të kundërtën do të përballen me ndërprerjen e procesit të integrimit europian, tërheqjen e investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse në fushën ekonomike.
“Jam i shqetësuar, nuk dua t’i fshij problemet nën tapet. Erdhën të pestë, përfaqësues të tre vendeve më të mëdha evropiane… Në fjalinë e dytë më thanë se duhet ta pranojmë këtë plan dhe nëse nuk e pranojmë, sepse mendojnë se duhet pranuar. Ne do të përballemi me ndërprerjen e procesit të integrimit evropian, nën dy, do të përballemi me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, nën tre, me masa të gjithanshme në kuptimin politik dhe ekonomik” – ka thënë ai.
Vuçiq ka thënë tutje se ka ardhur koha që shteti serb të bashkëpunojë me shqiptarët dhe të përpiqet sa më shumë që të gjejë zgjidhje.
“Nuk ka përparim për ne nëse nuk bashkëpunojmë me Evropën. Strategjikisht shtrohet pyetja, cila është ideja jonë për Kosovën? Meqenëse e gjithë ajo që kemi dëgjuar në dy ditë është se jam tradhtar, sikur e kam tradhtuar Kosovën, në kohën time… Por, le ta lëmë këtë mënjanë… Erdhëm në pikën, çfarë mund të bëjmë? Gjithmonë kam besuar se konflikti i ngrirë është zgjidhja më e keqe, gjithmonë kam besuar se kompromisi është zgjidhja më e mirë. Të gjithë ata dhurues vullnetarë të gjakut të të tjerëve, që thonë se duhet të kalojë koha, duhet të mendojnë se çfarë të mira i kanë sjellë Serbisë” – tha ai.
“Ne kemi nevojë për paqe me shqiptarët dhe për një qasje të përgjegjshme” tha Vuçiq mes tjerash.
Tutje, ai ka thënë se Serbia nuk mund ta pengojë më Kosovën të anëtarësohet në organizata si ajo e Këshillit të Evropës apo edhe në NATO.
“Ne nuk mund ta pengojmë hyrjen e tyre në disa organizata ndërkombëtare si në Këshillin e Evropës, as nuk mund ta pengojmë hyrjen e tyre në NATO, megjithëse thashë që nëse presin duartrokitje nga ne për diçka të tillë, nuk do ta marrin, por ne nuk mundemi ta parandalojmë atë”, ka thënë presidenti serb./Nacionale