Lajm i mirë: Ura e vogël e Kurtit u mbijeton vërshimeve

Vërshimet e fundit që kanë prekur disa komuna të Kosovës kanë sjell dëme të mëdha materiale. Si rezultat i këtyre vërshimeve janë prishur edhe shumë rrugë.

Në kohën kur vendi po përballej me vërshime, shumë qytetarë kanë qenë kureshtar të dinë për fatin e urës së vogël në Saradran të Istogut, të cilën kryeministri Albin Kurti e kishte përuruar me pompozitet të madh.

Këtë kureshtje e ka shuar kryetari i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj, i cili ka postuar një foto të urës.

Në foto shihet se ura e shumëpërfolur nuk ka pësuar ndonjë dëmtim.

Në profilin e tij në “Facebook”, Sefaj ka shkruar se ura iu ka mbijetuar vërshimeve.

“Në krejt këto përmbytje është edhe një lajm i mirë: ura gjigante në Saradran i ka shpetuar ciklonit katarina”, ka shkrua Sefaj.

Më 3 dhjetor, kryeministri Albin Kurti kishte thirrur ekipe gazetarësh dhe bashkëpunëtorët të nivelit qendror dhe lokalë për të përuruar një urë 12-metërshe si investim kapital të qeverisë.

Ura që u përurua me pompozitet lidhte fshatin Saradran me fshatin Ruhot.

“Saradrani kalon. Urime banorëve! Porsa përuruam rrugën e asfaltuar “Lugu i Drinit” me gjatësi 2.1 km si dhe urën mbi lumin Drin, duke e lidhur kështu Saradranin me Ruhotin, përkatësisht komunën e Istogut me atë të Pejës. Faleminderit Ministrit tonë Elbert, Kryetarit të Komunës Ilir, punëtorëve të kompanisë “Shkëmbi” dhe banorëve të kësaj zone. Ta gëzojnë!”, kishte shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Fatin e njëjtë të kësaj ure nuk e kishin edhe disa rrugë në veri të vendit, të cilat ishin shtruar se voni në asfalt.

Për këto rrugë ishin krenuar fort zyrtarët e LV-së. Por, vërshimet duket se e kanë shkatërruar njërën nga këto rrugë.