Në Kosovë është rritur punësimi.
Këtë e thotë menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, i cili thekson se ku bazohen për këtë.
“Anketat e fundit nuk janë ende të disponueshme. Kjo është një gjë që nuk duhet harruar. Thënë kjo, ne kemi edhe të dhëna të tjera që i shqyrtojmë, për shembull kontributet në sistemin pensional, të cilat tregojnë se punësimi është rritur pak”, është shprehur Paolucci në emisionin e ekonomisë, Portofol në Klan Kosova FM.
“Bazuar në të dhënat e kufizuara që ne i kemi vëzhguar, dhe mundemi t’i vëzhgojmë, janë krijuar vende të reja pune. Është e vështirë të shprehen në formë sasiore, por që nga pandemia e deri tani, përfshirë edhe vitin e shkuar, janë krijuar vende të reja pune.
“Tash, a po krijon ekonomia e Kosovës mjaftueshëm vende pune me cilësi të mirë për qytetarët e vendit? Jo! Dhe sidomos jo për gratë. Ky është problem i madh për vendin, sidomos pjesëmarrja e ulët e grave ne fuqinë e punës. Aty ka çështje strukturore, por edhe kulturore, që duhen adresuar”, ka vazhduar ai.
Sipas tij Kosova ka kapacitete për rritje edhe më të lartë nëse do të ndërhyhej që njerëzit të mos largoheshin nga vendi.
“Kompanitë ankohen se nuk po i gjejnë shkathtësitë e duhura për vendet e reja të punës që do të donin të krijonin, për shembull për të prodhuar mallra për Evropë. Do të duhej të kishte disa reforma që do t’ia mundësonin sektorit privat që të jetë agjent i krijimit të edhe më shumë vendeve të punës. Do të duhej të kishte investime për modernizimin e infrastrukturës, për lidhjen e vendit me tregtinë rajonale dhe globale. Pra, do të duhej të ndodhnin disa gjëra, dhe sipas meje rritja do të mund të ishte edhe më e lartë, dhe do të mund të krijoheshin më shumë vende pune, por duhet të vazhdojnë përpjekjet për reforma”.