Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, së fundmi ka dhënë një intervistë për një gazetë italiane, e cila u botua dje.
Në intervistën relativisht të gjatë, zonja Osmani dha qëndrimet e saja për çështjen e veriut, rrezikun nga Serbia, për çështjen e Ukrainës, e dialogun me Serbinë. Shefja e shtetit, në intervistën për gazetën italiane “Il fatto quotidiano”, foli edhe për skenaret e mundshme të paqes.
Në pyetjen e gazetarit se cili duhet të jetë zgjidhja më e mirë që duhet të ndiqet për të zgjidhur çështjen e Kosovës, zonja Osmani ishte e qartë në përgjigje. Në opinion e komandantes supreme, ideja e shkëmbimit të territoreve, që dikur përkrahej nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është një skenar i çmendur.
Në përgjigjen e shkurtër, zonja Osmani deklaroi se nuk do të jepet asnjë centimetër të territorit te ata që kryen krime në Ballkan.
“Asnjëherë shkëmbim territoresh, asnjëherë cedim i një cope të Kosovës te Serbia, këta janë skenarë të çmendur dhe të palogjikshëm. Nuk do t’u japim as një pëllëmbë tokë atyre që bënë gjenocid në Ballkan.” – komentoi shefja e shtetit.
Por Osmani ishte marrë me këtë tëmë edhe më herët. Madje “korrigjimit të kufijve”, ide e përkrahur nga Thaçi, i kishte kushtuar vëmendje edhe në fjalimin vjetor të saj.
“Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar.” – ishte shprehur qartësisht zonja Osmani, ani pse dështoi të tregonte se koha e kujt kishte ardhur.
Çka tha tjetër komandantja supreme në intervistë?
Zonja Osmani foli edhe për Serbinë e presidentin e saj, Aleksandër Vuçi, të cilin e akuzoi se po dëshiron të destabilizojë rajonin, duke synuar shkatërrimin e paqes dhe stabilitetit..
“Aleksandër Vuçiq, ai i organizoi (barrikadat), ka krijuar grupe kriminale dhe po i financon ato, komandon dhe u jep urdhra.” – ka thënë ajo.
Gazetari që i intervistoi i kërkoi Osmanit të jetë më precize.
“Ai po promovon lindjen e grupeve paramilitare në stilin Ëagner, po u shpërndan armë. Këto grupe, të sponsorizuara nga Beogradi, janë duke ndërtuar llogore dhe jo vetëm barrikada apo pengesa në rrugë, por pozicione të vërteta lufte.” – tentoi të precizonte Osmani.
Shefja e shtetit e luajti edhe rolin e zëdhënëses së Qeverisë Kurti, duke thënë se Kosova po e lufton korrupsionin.
“Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, ne veç se jemi duke luftuar korrupsionin dhe rezultatet e para kanë filluar të duken. Ne po ashtu do të dëshironim që të anëtarësohem në NATO, derisa misioni i KFOR-it duhet të qëndrojnë.” – shtoi ajo.
Në fund, Osmani u pyet edhe për marrëdhëniet Kosovë-ShBA, por u përgjigj tepër shkurt.
“Marrëdhëniet me ShbA-në janë të shkëlqyeshme, do të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj tyre, si ndaj Italisë.” – deklaroi ajo.
Kujtojmë që Osmani vazhdimisht gjatë karrierës së saj ka qenë e zhurmshme ndaj qeverisjes së ish-kryeminsitrit Hashim Thaçit. Madje e gjithë figura e saj politike është ndërtuar në kundërshtimin e figurës së Thaçit, të cilin e akuzonte për keqqeverisje. Në diskursin e zonjës Osmani vazhdimisht ka zënë vend togfjalëshi “qeverisje e Prontos”, një referim për aferën korruptive të zyrtarëve të PDK-së, nga e cila akuzë ata janë liruar.