Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes, çka i shtynë ata të përsërisin veprën. Shumë herë ka pasur raste të tmerrshme të dhunës në familje, që kanë përfunduar edhe tragjikisht.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje edhe një grua në fshatin Dabidol të Rahovecit, e cila ka deklaruar se është viktimë e dhunës në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 21-vjeçarja dyshohet se është dhunuar fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj.
Si rezultat i denoncimit, babë e bir kanë përfunduar në pranga dhe të njëjtit më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që dy të dyshuarit të dërgohen në mbajtje dhe ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.